Natalya Apostolova në mbledhjen e komisionit për integrime| Foto: KALLXO.com

Apostolova: BE nuk Ndërton Mure

Dy anëtare të Komisionit për Integrime Evropiane e pyetën për murin në Mitrovicë shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostolova, derisa ajo paraqiti para këtij komisioni raportin për Kosovën të zyrës që drejton.

“Urat i lidhin njerëzit, por muret i ndajnë. Përgjatë këtyre bisedimeve, po na ndan një mur. Dje Edita Tahiri tha se muri do të hiqet bashkë me BE-në. A do të hiqet ky mur siç po thotë ministrja, apo këto janë deklarata të pavërteta?” pyeti Donika Kadaj-Bujupi.

Për murin e shqetësuar ishte edhe anëtarja e komisionit nga LDK-ja Vjosa Osmani që kërkoi sqarime për qëndrimin e BE-së ndaj tij.

“Citoj nga media: ‘Nuk do të ketë mur, por do të ketë shkallë’, në fakt murin e kemi, e ndoshta dikush mundet me e shpjegu logjikën e shkallëve për të lidhur dy pjesë të rrafshta. a mund ta sqaroni qëndrimin zyrtar të BE lidhur me ndërtimin e murit në Mitrovicë?” pyeti Osmani.

Duke iu përgjigjur këtyre pyetjeve, Natalya Apostolova tha se BE-ja është kundër ndërtimit të mureve.

“BE kurrë nuk ka ndërtuar e as nuk përkrah mure. BE ndërton ura. Ajo që ne mund të bëjmë është të bëjmë përpjekje në dy anët për respektim të marrëveshjeve. BE ka një projekt, që është rivitalizimi i urës se Ibrit. [Muri] nuk është projekti ynë dhe ne nuk mund ta kontrollojmë. Ne jemi duke e përcjellë, negociatat mes dy anëve janë duke u bërë. Ne nuk duam të shohim mure,” tha Apostolova.

Kryetari i Mitrovicës Veriore Goran Rakiq tha të shtunën për KALLXO.com se muri do të zvogëlohet, ndërsa ai do të shërbejë si nivelizuees i shëtitores në rrugën “Mbreti Petar” që tha se është projekt i Serbisë.

http://kallxo.com/rakiq-muri-te-zvogelohet/

Deputetja dhe anëtarja e komisionit Vjosa Osmani iu ankua Apostolovës për mostransparencën e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

“Për neve shumica e dokumenteve mbesin të fshehta. Duhet të kontaktojmë gazetarë në Bruksel e zyrtarë që kemi raporte, për të marrë vesh çfarë po ndodh në bisedime,” tha Osmani.

Apostolova u pajtua se ka vazhdimisht ankesa se ky dialog nuk është transparent.

“Kam dëgjuar se duhet më shumë transparencë. Pajtohem me ju. Në disa raste jam takuar me ministren për dialog, ajo më ka thënë që i ka thirrur të gjitha partitë politike të jenë pjesë e dialogut, por nuk kanë ardhur. Kjo është ftesë e hapur,” tha Apostolova.

Shefja e Zyrës së BE-së duke folur pastaj për mostransparencën e financimit të subjekteve politike, tha se po habitet që partitë e koalicionit qeverisës nuk i kanë publikuar financat e tyre.

“Vetëm një parti politike ka bërë publik raportin financiar. Jam e habitur se si partitë e koalicionit nuk e kanë bërë këtë. Po të isha unë qytetarë e Kosovës do të doja të dija si partitë politike shpenzojnë paratë. Ju lutem merreni këtë shumë seriozisht, transmetojuani këtë çështje edhe liderëve tuaj,” tha Apostolova.

Ajo konsideroi se EULEX-i ka bërë punë të shkëlqyer në fushën e krimeve të luftës dhe luftës kundër korrupsionit, ndërsa deklaroi se BE-ja nuk ka standarde të dyfishta për liberalizim vizash të kosovarëve.