Apostolova kërkon projekte të përbashkëta të komunave të Anamoravës

Shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Nataliya Apostolova, gjatë ditës së sotme u takua me kryetarët e komunave të Gjilanit, Ranillugut, Parteshit-Pasjanit, Kllokotit-Vërbovcit, Kamenicës dhe Vitisë.

Kryetarët e këtyre komunave treguan se në cilat projekte u duhet ndihma nga fondet e Bashkimit Evropian, duke filluar me trajtimin e ujërave të zeza, papunësisë dhe të rinjve që po largohen nga vendi.

Apostolova u propozoi që për projektet e trajtimit të ujërave të zeza të aplikojnë së bashku të gjitha komunat, ndërsa për largimin e të rinjve ajo tha se janë duke ndarë grante për të rinjtë që merren me bujqësi.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se regjioni i Anamoravës është një pjesë e Kosovës ku jetesa e përbash\kët mes komuniteteve është një shembull për qytetet tjera.

Ajo tregoi se Komisioni Evropian është duke e përgatitur një pako të re me fonde për Kosovën prandaj edhe kërkoi të dijë se cilat janë nevojat e këtyre komunave.

“Komisioni Europian ka investuar në Kosovë 40 milion euro në projekte dhe programe. Shumica e komunave kanë përftuar në aspekt të projekteve  të infrastrukturës stabile, në zyret e disa prej komunave janë ndërtuar me fonde të Komisionit Evropian, apo kjo bibliotekë këtu”, tha Apostolova.

BE do të jetë mbështetësi juaj kryesor, tha Apostolova por u kërkoi kryetarëve të këtyre komunave që të përfitojnë nga përfitimet që ndahen.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri tha se lumi Morava është kthyer në njërin nga problemet më të mëdha për arsye se pas reshjeve po ka përmbytje dhe po dëmtohen bujqit.

“Morava është projekti ynë i përbashkët më i madh , trajtimi i ujërave të zeza se Kamenica e ka të veçantë dhe Ranillugu sepse janë në një nivel ma ulët gjeografikisht se Gjilani është projekt i përbashkët në një pjesë”, tha Haziri.

Ndërkaq, kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati tha se komuna që ai e udhëheq është shembull për bashkëjetesën e etnive të ndryshme dhe se për këso lloj suksesesh duhet vlerësuar të gjithë kryetarët veçmas.

Ai theksoi se Kamenica dhe Parteshi nuk janë të përfshirë në projektin e ujërave të zeza, gjithashtu Kastrati përmendi edhe kampusin shkollor që kjo komunë dëshiron që ta krijojë në mënyrë që nxënësit e të gjitha etnive të mësojnë bashkë.

“Jemi shumë të interesuar me bo një kampus të shkollave ku do të jenë në të njëjtin kampus nxënësit e etnive të ndryshme”, tha Kastrati.

Kryetari i komunës së Parteshit, Dragan Nikoliq, kërkoi mbështetje ekonomike nga shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, në mënyrë që të rinjtë të mbesin në Kosovë sepse siç tha ai ka numër të madh të largimit të të rinjve.

Ai tha se kjo komunë ka gjithashtu nevojë edhe për rrjetin e ujësjellësit në disa pjesë.

“Ajo çfarë mund të them qe është e nevojshme ende një mbështetje shumë e madhe për regjionin tonë që të zhvillohet ekonomikisht dhe të krijoj kushte për të rinj që të mbesin në regjionin tonë apo në Kosovë pasi kemi largim shumë të madh të të rinjve nga Kosova apo nga komuna e jonë”, theksoi Nikoliq.