Gjykata e Apelit - Foto: KALLXO.com

Apeli Ndryshon Burgimin e Përjetshëm për Dy të Dënuarit

Një kolegj penal prej tre gjyqtarësh i Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës së Apelit ndryshoi sot dënimin me burgim të përjetshëm i shqiptuar ndaj dy të akuzuarve, Emin Krasniqi e Astrit Mehmeti, të cilët ishin dënuar më 11 shtator 2015 për vrasjen e Melvin Ajdinoviqit në Strofc të Obiliqit.

Ky ishte dënimi i parë i shqiptuar me burg të përjetshëm në Kosovë.

Gjykata Themelore në Prishtinëtë miturën me inicialet F.C. e kishte shpallur përgjegjëse dhe e kishte dënuar me 9 vjet e 10 muaj burg.

“Kolegji në fjalë vendosi që për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje, nga neni 179 par.1 nën par.1.4 dhe 1.6, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të akuzuarin e parë ta gjykojë me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 25 vjetësh, ndërsa të dytin me 22 vjet burgim. Ankesa e mbrojtësit të të miturës F.C. u refuzua si e pabazuar”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Më tutje, në arsyetim thuhet se Gjykata e Apelit konsideron se dënimi me burgim të përjetshëm është i ashpër pasi që të akuzuarit  janë të moshës relativisht të re, më parë të pagjykuar, të gjendjes së dobët ekonomike, kanë të kryer vetëm shkollën fillore, që tregon nivelin e tyre të të kuptuarit të vlerave të shoqërisë, e po ashtu njëri nga ta është penduar për veprën e kryer.

“Gjykata e Apelit shpreh bindjen se me dënimet e shqiptuara nga kolegji penal i kësaj Gjykate ndaj të akuzuarve në tërësi do të arrihet qëllimi i dënimit, i paraparë në nenin 41 të KPRK, e që është të parandalojë të akuzuarit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, të bëjë rehabilitimin e tyre, të parandalojë personat tjerë nga kryerja e veprave penale, të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale dhe të ndikojë në ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit”, përfundon komunikata. [interaction id=”56f143a4e5f4830028053e12″]

Prokuroria i akuzonte Emin Krasniqin, Astrit Mehmetin dhe të miturën F. C. për vrasje të rëndë në bashkëkryerje të boshnjakut Melvin Ajdinoviq. Vrasja kishte ndodhur më 12 tetor 2014 rreth orës 20:30.

Sipas aktakuzës, në këtë natë e mitura F.C. ishte marrë vesh me të akuzuarit Emin Krasniqi dhe Astrit Mehmeti që në bashkëveprim e me dashje ta privojnë nga jeta Melvin Ajdinoviqin për motiv të përfitimit të dobisë pasurore.

Për këtë qëllim ata ishin takuar në një kafene në Obiliq ku gjatë drekimit kishin bërë plane për t’ia marrë të hollat dhe për ta vrarë Ajdinoviqin.

Pastaj, gjithnjë sipas aktakuzës, te rrethi në Obiliq, e mitura F.C. ishte takuar me Ajdinoviqin, duke i propozuar atij një shëtitje me taksi. Si taksist i rremë në këtë rast të dyve iu ishte paraqitur tash i dënuari Emin Krasniqi me makinën e tij të tipit “Golf 2”.

Kur të tre kishin hipur në makinë, ishin nisur drejt fshatit Zhilivodë të Vushtrrisë, ku për ta luajtur si duhet rolin e taksistit, Krasniqi ishte ndalur për ta marrë një udhëtar tjetër, tash të dënuarin Astrit Mehmeti.

Aktakuza tregon se të katërt vazhduan rrugën drejt fshatit Strofc të Vushtrrisë ku e kryen vrasjen e Ajdinoviqit.

“Te vendi i quajtur Buxhak i Strofcit, afër një pusi (bunari), të ndjerin e vrasin dhe e hedhin në bunar. Pas disa ditësh të akuzuarit Emin Krasniqi dhe Astrit Mehmeti e nxjerrin të ndjerin nga bunari dhe e varrosin disa metra në afërsi të bunarit”, thuhet në aktakuzë.

Këto janë dënimet e para me burgim të përjetshëm që nga hyrja në fuqi në janar të vitit 2013 të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës që parasheh edhe këtë dënim.

KALLXO.com kishte raportuar për këtë rast në ditën kur ishte shpallur aktgjykimi.

http://kallxo.com/per-vrasje-me-dashje-denimet-e-para-te-perjetshme-me-burgim/