Plagosja në Duplex, “Llepota” shëtitet pa fletarrest

Mbrëmjen e së shtunës, ka ndodhur në plagosje me armë zjarri në afërsi të lokalit të natës “Duplex”, në Prishtinë.

Në këtë rast, katër persona janë plagosur me armë zjarri, ndërsa gjashtë persona ndodhen në arrati si të dyshuar.

I dyshuari kryesor për këtë rast është Arsim Mehmeti, i njohur si “Llepota”, i cili ende ndodhet në arrati.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria Themelore në Prishtinë nëse ndaj të njëjtit ka lëshuar urdhër arrest.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka thënë për KALLXO.com, se Prokuroria ende nuk ka lëshuar urdhër arrest.

“Në bazë të informacioneve që kam, nuk është lëshuar urdhër arrest, i njëjti është në kërkim nga ana e policisë”, ka thënë Ulaj.

KALLXO.com para pak minutave raportoi për arrestimin e njërit nga gjashtë të dyshuarit për këtë plagosje.

Në njoftimin e policisë thuhet se i dyshuari është arrestuar dje.

“Lidhur me rastin, dje njësia policore ka identifikuar dhe ka arrestuar një të dyshuar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

KALLXO.com ka publikuar pamje nga plagosja e cila ndodhi mbrëmjen e së shtunës.

Në pamje shihet personi me setër ngjyrë krem tek afrohet te sigurimi ndërsa pas një diskutimi nxjerr revolen dhe qëllon në drejtim të pjesëtarëve të sigurimit.

Njëri nga ta nuk largohet dhe këtu fillon përleshja edhe me grushte.

Pamje nga kamerat e sigurisë, plagosjet në ‘Duplex’