Foto-ilustrim

Dëshmitari rrëfen si u shtri në veturë kur u shkrepën plumbat në Podujevë

Dy dëshmitarë janë dëgjuar në seancën e sotme në gjykimin për vrasje në tentativë, rast që ka ndodhur në Podujevë para 9 vitesh.

Në këtë proces po gjykohet Astrit Mehmeti.

Në seancën e sotme është dëgjuar dëshmia e dëshmitarit Mehdi Avdullahu.

Dëshmitari deklaroi se në ditën kritike, më 10 qershor 2010, në mbrëmje kishte dalë nga shtëpia dhe po shkonte te stadiumi për të parë futboll së bashku me Fidaimin.

Rrugës i kishte takuar Liridon dhe Marigon Rrahimin, të cilët i kishin marrë me veturën “Mercedes”. Veturën, sipas tij, e drejtonte Liridoni.

Dëshmitari përshkroi vendet ku ishin të ulur: Marigoni ishte ulur në ulësen përpara, afër shoferit, ndërsa ai dhe Fidaimi prapa. Më pas ishin nisur drejt qendrës së Podujevës.

Teksa po shkonin me veturë rrugës “Zahir Pajaziti”, dëshmitari tha se kishin dëgjuar një krismë arme, se ishte thyer xhami anësor i veturës e ai ishte shtrirë në ulëse, ndërsa Liridoni kishte humbur kontrollin mbi veturën dhe kishte kaluar në anën tjetër të rrugës derisa e godet një shtyllë elektrike.

Dëshmitari tha se ai, Fidaimi dhe Marigoni, kishin dalë nga vetura dhe kishin ecur nja 50 metra. Më pas, ai ishte kthyer përsëri te vetura ku kishte parë se kishin arritur Policia dhe dy prej tyre po e nxirrnin jashtë Liridonin. Ai i kishte dëgjuar të thoshin se:  qenka gjallë.

“Por unë nuk e dija a ishte me vetëdije”, tha ai, duke treguar se ishte larguar pa u treguar policëve se kishte qenë në makinë me Liridonin.

I pyetur nga prokurorja Javorka Perlinçeviq se pas sa kohe keni dëgjuar se Astrit Mehmeti po dyshohet se ka gjuajtur me armë, dëshmitari deklaroi tha se ka dëgjuar fjalë porse nuk mund ta akuzojë askënd, pse nuk kishte parë kush ka gjuajtur as nga kanë ardhur plumbat.

I pyetur nga Fehmie Bytyqi, avokate e të dëmtuarit, se si kishte reaguar Liridoni dhe të tjerët pas krismës së armës, dëshmitari tha se nuk e dinte sepse ishte shtrirë në ulësen prapa.

Ndërsa, duke iu përgjigjur avokatit Florent Latifi, dëshmitari deklaroi se lëndimet Liridoni i kishte prapa kokës.

Po ashtu, dëshmitari tha se Liridoni kurrë nuk kishte biseduar me të nëse ka pasur apo jo probleme me familjen Mehmeti dhe se nuk e njeh këtë familje.

Në fund dëshmitari deklaroi se nuk kërkon dëmshpërblim sepse nuk e ndjen veten të dëmtuar.

Dëshmitari I dytë, Qëndrim Softolli, tha se në natën kritike kishte dalë me shokë për ditëlindjen e tij.

Ai tha se në qytet kishte dalë me veturën e tij “Golf 1”, të cilën e kishte parkuar afër Postës, në rrugën “Zahir Pajaziti”.

Dëshmitari tha se rreth orës 23:00 kanë dëgjuar të shtëna dhe se pasi kishin përfunduar ndejën kur kishte shkuar te vetura e kishte parë se kishte 2-3 vrima të plumbave.

Të nesërmen I kishte treguar babait se i ishte dëmtuar vetura dhe rastin e kishin paraqitur në Polici.

Ai tha se nuk e njihte të dëmtuarin Liridon Rrahimin dhe se nuk ka kërkesë pasurore-juridike.

Seanca u shty për në muajin shtator.