I dyshuari për plagosjen në Duplex, ishte arrestuar në Spanjë si pjesë e grupit mafioz

Astrit Mehmeti me nofkën “Llepota” që po konsiderohet i dyshuar për plagosjen e së shtunës në ‘Dublex’, ishte arrestuar si pjesë e një grupi kriminal në Spanjë.

Mediat spanjolle në vitin 2006 kishin raportuar për arrestimin e tij si koka e një grupi që merrej me vjedhje.

Në shkrimin e “El Pais” në vitin 2006 raportohet se “policia ka shpërbërë organizatën e madhe mafioze me origjinë shqiptaro-kosovare që operonte në Kataloni”.

Sipas raportimit, në operacion janë arrestuar 11 persona, ndër ta edhe dy vëllezër që konsiderohen kokat e grupit që kanë histori kriminale.

Organizata ishte e strukturuar në grupe diverse dhe ishte e dedikuar fundamentalisht në vjedhjen e kasafortzave, në fabrika, dyqane stolish dhe merreshin me prostitucion.

Sipas policisë, udhëheqësit e rrjetit ishin vëllezërit Ilberg dhe Astrit Mehmeti, të njohur nga policia.

Hetuesit e dinin se për disa muaj, Mehmeti i kontraktoi shërbimet e një qytetari gjerman , ekspert ndërkombëtar i kasafortave, për të mundur t’i shfrytëzojë disa prej njohurive të tij.

Në kohën e arrestimit ata ishin të lokalizuar në bregun andaluzian dhe besohet se në muajt e fundit ky grup kishte interesa në zonën e Castelldefels (Barcelonë).