Akademia e Kosovës për Siguri Publike. Foto: Kallxo.com

Aparatet zjarrfikëse në Akademinë e Policisë me afat të skaduar

Aparateve zjarrfikëse në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri edhe pse ju ka skaduar afati ato ende nuk janë ndërruar.

KALLXO.com ka siguruar disa fotografi nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri në të cilat shihen aparatet zjarrfikëse me afat të skaduar.

Aparateve zjarrfikëse  të cilat janë të vendosura në këtë objekt, siç  shihet në fotografi  ju ka skaduar afati gjatë vitit 2016.

Këto aparate janë mbushur me 10 qershor të vitit 2015 dhe afati i tyre ka skaduar pas një viti, por ato ende nuk janë ndërruar.

Se ka skaduar afati i këtyre aparateve e ka konfirmuar edhe Drejtori i  Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismajl Smakiqi.

Sipas Smakiqit kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së një operatori ekonomik për mirëmbajtjen e aparateve.

“Arsyeja që Akademia e Kosovës për Siguri Publike nuk e ka një operator ekonomik për mirëmbajtjen e aparateve  zjarrfikëse është se vitin e kaluar ka qenë informata që Agjencia Qendrore e Prokurimit do të përzgjedhë operatorët e mirëmbajtjes në nivel vendi, jo vetëm për këtë fushë, po edhe në disa fusha të furnizimeve dhe shërbimeve siç është mirëmbajtja e objekteve, furnizimi ne mjete të zyrave e tjera”, tha Smakiqi për KALLXO.com.

Ai ka njoftuar se është iniciuar procesi për përzgjedhjen e operatorit ekonomik për mirëmbajtjen e aparateve zjarrfikëse dhe shumë shpejtë do të kaloj kjo mangësi.

“Shpresoj që shumë shpejt të ju njoftoj për përfundimin me sukses të procesit të përzgjedhjes dhe përtëritjes të aparateve zjarrfikëse me mbushje me afat valid”, ka thënë Smakiqi për KALLXO.com

Kontrata e fundit nga AKSP për mirëmbajtjen e aparateve të zjarrfikëseve është dhënë në vitin 2015.

Kontrata me operatorin ekonomik ‘G.B sh.p.k’ është nënshkruar më 14 maj 2015 . Kohëzgjatja e kontratës ka qenë gjashtë muaj dhe ka skaduar me 31 dhjetor 2015.

Që nga skadimi i kësaj kontrate në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), nuk është hapur asnjë tender për mirëmbajtjen e zjarrfikëseve në Akademi.