Kadetët e Policise - Foto: KALLXO.com

Shkollimi i policëve të rinj

Këta janë një grup prej 425 kadetëve të rinj të Policisë së Kosovës. 30% prej të cilëve janë vajza dhe gra. Ata kanë filluar trajnimin bazik në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

Kadetët do të qëndrojnë në Akademi për shtatë muaj duke u trajnuar për pjesën teorike, pastaj për të vazhduar praktikën e tyre në teren.

Smajl Smakiqi, drejtor i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike ka treguar për KALLXO.com se kjo është gjenerata e parë e cila ndjek një trajnim profesional të validuar.

“Trajnimet bazike janë trajnime të punësimit, trajnime në bazë të një kurrikule që është zhvilluar për ta, ku kanë marrë kompetencat e nevojshme për të qenë polic i ri”, është shprehur Smakiqi.

Kadetët e rinj, gjatë tërë javës janë të obliguar të qëndrojnë brenda Akademisë, duke përjashtuar ditën e shtunë.

“Është shumë e bukur jeta në akademi me kadetët e rinj. Për shkak se ata vinë të dielën në mbrëmje, vendosen në akademi në mënyrë që nesër në mëngjes të jenë të gatshëm për jetën e kadetit. Zgjimi bëhet në 6 në mëngjes, ushtrimet, përgatitjet, parada e kadetëve para eprorëve të tyre, dhe pastaj fillon ora mësimore. Kjo orë mësimore është deri në orën 16:00. Pastaj kanë aktivitete të lira”, ka thënë Smakiqi.

Smakiqi ka shtuar se trajnimi i kadetëve është paraparë të zgjasë deri në muajin shtator të këtij viti.

“Trajnimi i plotë është dy vjeçar, pjesa dërmuese e orëve do të kalohen në Akademi, në këtë shtatë mujorin, dhe pastaj edhe 42 javë të tjera do t`i kalojnë në teren. Mendojmë ka fundi i gushtit të përfundoj këtë pjesën teorike dhe pastaj kadetët kthehen edhe për një javë ku e kanë testin përfundimtar dhe ceremoninë e diplomimit”, tregon Smakiqi.

Në Akademinë e Kosovë për Siguri Publike, tash e tre muaj po trajnohet edhe 17 hetues të Inspektoratit Policor të Kosovës.

“Ky trajnim është në muajin e katërt dhe do të jetë edhe një muaj e gjysmë në akademi. Është një numër prej 17 kadetëve të IPK-së që janë duke ndjekur trajnimin  me instruktorët e IPK-së, pastaj ne i angazhojmë sipas kërkesave dhe moduleve ose nga gjykatat ose nga prokuroria, që ofrojnë këto module për kadetët e IPK”, ka thënë Smakiqi.

KALLXO.com ka qenë pjesë e disa trajnimeve të hetuesve të IPK-së, për përdorimin e armëve dhe lirimin e pengjeve.

Hazer Mallaku, pjesëtar i Inspektoratit Policor të Kosovës ka treguar për KALLXO.com për trajnimet që i mbajnë në akademi.

“Ky trajnim që po mbajmë tani është trajnim për përdorimin e armëve, ekzistojnë disa skenar për përdorimin e armëve, skenar për lirimin e pengjeve, skenar me caqe statike e shumë të tjera”, ka thënë Mallaku.

Pas grupit të parë të kadetëve, që nga shtatori, në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike do të filloj trajnimin bazik edhe grupi i dytë i kadetëve, të cilët po ashtu, janë në numër të konsiderueshëm.