Ruairi O'Connell, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë. Foto: Atdhe Mulla

Ambasadori britanik në bashkëbisedim me qytetarët flet për idenë e ‘korrigjimit të kufijve’

Për një orë rresht, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, i përgjigjur pyetjeve të përdoruesve të rrjetit social Facebook.

Gjatë këtij bashkëbisedimi, shumë qytetarë të Kosovës janë interesuar të marrin qëndrim nga ambasadori O’Connell për temën e ‘korrigjimit të kufijve”.

Një qytetar e ka pyetur atë “z. Ambasdor Ruairí O’Connell shteti juaj a e përkrah idenë e presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh?”.

Ndërsa ambasadori ka thënë se dihet qëndrimi i Britanisë për këtë çështje.

“Pse po pyetni kur ju e dini qëndrimin e Britanisë. Pozita jonë nuk ka ndryshuar që nga viti 2005”, ka shkruar ai.

O’Connell është pyetur edhe për takimet e presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq.

Në përgjigje të pyetjeve ai tha se i mbështet projektet e BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Shiqoni, duhet të jetë e qartë në fillim se ne mbështesim fuqishëm përpjekjet e Përfaqësueses së Lartë të BE, Mogherini, për të lehtësuar procesin normalizimit në mes Kosovës dhe Serbisë. Mungesa e marrëdhënieve bilaterale, normale dhe pozitive mes dy shteteve i lë mbrapa jo vetëm këto dy shtet, por edhe rajonin”, shkroi ai.

O’Connell e ka përshëndetur inkuadrimin e presidentit Thaçi në këtë proces.

“Është vërtetë pozitive, falënderuar edhe angazhimit të Presidentit Hashim Thaçi, që tani ka energji dhe fokus në këtë çështje. Është tejet e rëndësishme të kemi një proces që do përparojë Kosovën, të përmirësojë stabilitetin e rajonit dhe që të jetë i zbatueshëm në Kosovë. Debatet e fundit në Kuvend janë hap i mirë, por secila parti duhet të përfshihet dhe të përdorë këtë mundësi për të ardhë deri tek një marrëveshje. Takimet janë veç takime, por çka është e rëndësishme është angazhimi politik duke kontribuar me ide se si të ketë një zgjidhje përfundimtare”, është përgjigjur ambasadori britanik.