Foto: Kallxo.com

Ambasadori britanik fton studentët e Kosovës: Aplikoni për bursat Chevening!

Ambasada Britanike në Kosovë, në bashkëpunim me Asociacionin e Bursistëve Chevening të Kosovës, gjatë ditës së sotme organizuan konferencën “Qëndrimet dhe aftësitë që i duhen një lideri të shekullit 21”.

Panelistë në këtë konferencë ishin, ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell dhe katër bursistë të Chevening-ut të cilët ndanë përvojën dhe dhanë këshilla rreth kësaj burse.

Ambasadori britanik, Ruairi O’Connell tha se nga kandidatët për bursën Chevening kryesisht kërkohen katër gjëra: të jenë të aftë, të kenë vizion, të kontribuojnë në Kosovë dhe të arsyetojnë vetën përse duhet të jenë ata fituesit e kësaj burse.

“Aplikoni mos mendoni se nuk jeni i mirë mjaftueshëm, mund të mos jeni por ajo është puna jonë edhe nëse nuk fitoni një here aplikoni përsëri, mos mendoni qe refuzimi është gjë e keqe dhe nëse dikush ju thotë jo nënkupton se nuk jeni gati ende. Universitetet britanike ju trajtojnë si të rritur dhe jo si studentë. E dyta, kini një vizion çfarë do të bëni me atë njohuri, jo vetëm të mendoni qe do të fitoni para. Duhet të dini përse e doni këtë njohuri se çka do të bëni me të. E treta, duhet të kontribuoni në Kosovë, ky është qëllimi i Chevening nuk është vetëm të ndihmojë por edhe të jetë pikë komunikimi që të zhvillohemi në të ardhmen, pra duhet të dini se çfarë do të investoni kur të ktheheni në Kosovë. Gjëja përfundimtare, përse ti? Duam të dimë përse ti. Shumë prej aplikantëve befasohen kur fitojnë sepse mendojnë që nuk dinë mjaftueshëm apo që duhet ë kenë një lidhje për të fituar. Pra beso që mund ta bësh dallimin dhe na sqaro neve si do ta bësh atë ndryshim.”, ka thënë O’Connell.

Njëri nga bursistët e Chevening ishte edhe Besnik Tahiri, i cili listoi disa nga gjërat që i nevojiten një studenti që synon të aplikojë për këtë bursë.

Ai tregoi se ambicia është njëra ndër më të rëndësishmet, të jesh punëtor dhe të arrish ta menaxhosh egon.

“Duhet të keni qëllimet tuaja personale dhe lini anash pengesat qe keni në këtë vend dhe thoni se mund ta bëj. Nganjëherë mendoj se isha shumë ambiciozë prandaj edhe dështova disa herë, së pari kam filluar të punojë si rojtar dhe pas katër vitesh nga niveli më i ulët arrita në atë më të lartin, kjo tregon që kur ke qëllime dhe lufton e arrin atë që do. Jam shumë i sigurt se të gjithë janë lodhur nga padrejtësitë në këtë vend por gjithashtu kemi parë njerëz serioz me suksese të mëdha. Menaxhoni egon tuaj sepse shumë nga ne kur konfrontohemi me refuzim kemi probleme me egon. Të jesh pjesë e ekipit duhet të jesh lojtar i mirë. Unë jam kush jam për shkak të ambicieve të mia, për shkak të familjes, por edhe për shkak të kësaj burse.”, ka thënë Tahiri.

Kurse bursisti tjetër i cili pas kthimit ka themeluar një kompani që ofron këshilla financiare, Bersant Disha tha se njëra nga drejtimet që përkon me të ardhmen është teknologjia sepse siç deklaroi ai, tashmë inovacioni është udhëheqësi i lojërave dhe po ndikon në të gjitha sektorët.

“Në master e merrni bazën dhe ju jep udhëzimin se çfarë duhet të studioni dhe pritni qetë punësoheni. Kam studiuar mjekësinë dhe kam hequr dorë në vitin e pestë dhe vendosa që të studioj ekonominë dhe e vazhdova edhe në master atë drejtim. Mendojeni se do të gjeni punë nëse ktheheni në Kosovë pasi ta kryeni bursën Chevening. Nëse doni të punësoheni në sektorin privat jini mendje hapur.”, tha Disha.

Ndërkaq, bursistja tjetër Merita Kostanica-Ukaj, e cila pas studimeve në Angli ka themeluar një kompani në Kosovë për ligjet e telekomunikacionit foli për mënyrën e punësimit të kandidatëve në kompaninë e saj.

“Nuk kemi ndonjë mënyrë specifike për rekrutimin e tyre. Kur jemi tek krahasimi tek ata me përvojë dhe ata pa përvojë ne shpesh i marrim ata pa përvojë. Duhet të dinë pjesën teorike në mënyrë që ta bëjmë punën praktike. Mënyra për të mësuar është ajo që të dalin përballë klientëve dhe të flasin me ta pavarësisht përvojës. Të fitojnë vetëbesimin merr më shumë kohë sepse në universitetet tona mësojnë vetëm nga librat dhe nuk dalin nga ta, pra ata kanë nevojë që dikush t’u mësojë se duhet të dinë përtej librit”, theksoi ajo.

Jehona Gjurgjeala nga organizata TOKA u tha studentëve se duhet të shihen ndryshimet që po ndodhin nëpër botë dhe të mos jeni përtacë por të adaptoheni me ato ndryshime dhe të luani një rol në shoqëri pas studimeve.

Ambasadori britanik gjithashtu theksoi se të rinjtë duhet të përqendroheni në studime inovative sepse siç tha ai, Kosova ende është një vend i veçantë ku njerëzit bëjnë punë që në vende të tjera do të ishin të nen kualifikuara.

“Vetëm pse jeni njeriu i vetëm mund të mos jeni më i kualifikuari, nëse keni vizion thojeni cili është. Nëse nuk je ministër në moshën 22 vjeçare nuk është dështim. Dështimi është vetëm një proces përderisa po mësoni diçka. Dua të shoh arritje në CV-në tuaj, dua të shoh aftësi”, përfundoi ai.