Presidenti Thaçi priti liderin e BDI-së, Ali Ahmetin Foto: ZPRK

Ali Ahmeti takohet me Thaçin e Haradinajn

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës kanë pritur në takim, sot, politikanin shqiptar nga Maqedonia, Ali Ahmetin.

Gjatë takimit me presidentin Hashim Thaçi, sipas komunikatës për media kanë folur edhe për çështjen e emrit të Maqedonisë.

Për Thaçin, zgjidhja e kontestit të emrit është interes për gjithë rajonin.

“Zgjidhja e kontestit të emrit e rrjedhimisht edhe hyrja e Maqedonisë në NATO është në interes të paqes në tërë rajonin tonë”, citohet të ketë thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa, sipas njoftimit, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka theksuar se “Bashkëpunimi i afërt i lidershipit shqiptar ka bërë që të përmirësohet edhe pozicioni i shqiptarëve në Maqedoni”, thuhet tutje në komunikatën e Zyrës së Presidentit.

Ndërsa, në takimin që e ka pasur me shefin e qeverisë, Ramush Haradinaj, ky i fundit i ka premtuar se do të angazhohen që të bëjnë zgjidhje për çështje të rëndësishme që janë duke pritur që një kohë, por pa treguar se për çfarë çështjesh bëhet fjalë.

Ali Ahmeti është kryetarit i partisë shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Kryeministri Ramush Haradinaj priti ne takim Ali Ahmetin Foto: ZKM