Aleanca Mesdhetare e Ligatinave i Kërkon Ramës ta Mbrojnë Divjakën

Duke e konsideruar projektin për ndërtimin e blloqeve të apartamenteve, të hoteleve dhe të vilave në zonën e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, “jashtëzakonisht negative” dhe “të papranueshëm”, një aleancë me 20 organizata mjedisore europiane e quajtur Aleanca Mesdhetare e Ligatinave, i bëri thirrje përmes një letre të disponuar nga BIRN kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Mjedisit Lefter Koka të anulojnë projektin e kompanisë Matebex.

“Gjatë dekadave të fundit, qeveria shqiptare ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për konservimin më të mirë të trashëgimisë natyrore të Shqipërisë, në veçanti përmes kontributit në Administrimin e Zonave të Mbrojtura, në ruajtjen dhe fuqizimin e vlerave të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta,” shkruhet në letrën dërguar Ramës dhe Kokës.

“Mes rezultateve pozitive ne mund të theksojmë rritjen e numrit të Pelikanëve Dalmacianë (Pelikanëve kaçurel), një specie simbolike e parkut dhe e Shqipërisë në Shqipëri, por gjithashtu edhe zhvillimin e turizmit të natyrës në park si një kontribut pozitiv për ekonominë vendore si dhe një vektor i fuqishëm edukues,” vijon letra.

“Duke nxjerë leksione nga i gjithë baseni i Mesdheut por edhe nga e gjithë bota, është e qartë se zona të tilla të lagështa përbëjnë fuqi të vërtetë të Shqipërisë në termat e vlerës së biodiversitetit, të shërbimeve të shumta ekologjike të ofruara nga populli shqiptar dhe për imazhin e Shqipërisë. Parku nuk duket të konsiderohet si një pengim për zhvillim por si një avantazh kyç për të ardhmen e Kombit dhe Popullit,” vijon letra.

Projekti i kompanisë Mabetex përfshin ndërtimin e mbi 2,300 apartamenteve, disa hoteleve, rreth 370 vilave si dhe objekte ndihmëse si një fushë golfi me 12 vrima e pista për ulje-ngritjen e helikopterëve. Projekti ka nisur të hartohet që nga viti 2012, por së fundmi duket se kompania ka gjetur simpati mes qeverisë dhe opozitës dhe po kryen procedurat formale para se të kërkojë miratimin në qeveri.

Divjaka Kundër Divjakës: Banorët Brohorasin Projektin ‘Betonizues’ të Behgjet Pacollit

Gjithsesi, organizatat mjedisore e konsiderojnë projektin betonizues si thellësisht të dëmshëm, për shkak se ai shtrihet deri në brendësi të parkut kombëtar si dhe mund të shkaktojë shkatërrim të të gjithë ekosistemit për shkak se zona është shumë moçalore, e vështirë për t’u ndërtuar e për rrjedhojë, kërkon ndërhyrje në shkallë të gjerë për të shmangur erozionin apo shtimin e tokës nga prurjet e lumenjve apo ndryshim të të gjitha kushteve të cilat aktualisht e bëjnë atë një qendër me rëndësi botërore në migrimin dhe shumimin e zogjve dhe specieve të tjera.

“Aleanca Mesdhetare e Ligatinave dukshëm konsideron që iniciativa për zhvillimin e “Rezortit Divjakë Shqipëri” do të jetë jashtëzakonisht negative dhe e papranueshme,” thuhet në letrën e aleancës.

Një projekt i tillë, vijon letra, “mund të jetë në shkelje totale të angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë në kuadër të konventës Ramsar, konventës së Bernës, Konventës së Bonit dhe Rrjetit Emerald.”

Për rrjedhojë, aleanca nxit qeverinë shqiptare të anulojë projektin dhe të vlerësojë siç duhet asetin e përbërë nga trashëgimia natyrore e Shqipërisë në përgjithësi dhe nga Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta në veçanti.

Artikulli është botuar fillimisht në Reporter.al