Albulena Haxhiu Propozon Dëshmitarë Krerët e Shtetit

Në gjykimin e katër deputetëve të Vetëvendosjes për gazin lotshjellës në Kuvend, e akuzuara Albulena Haxhiu propozoi si dëshmitarë Presidentin Hashim Thaçi, Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli.

Në arsyetimin e saj Haxhiu tha se tash Presidenti Hashim Thaçi ishte njëri nga nënshkruesit e marrëveshjes së demarkacionit, për veprimet kundër së cilës po akuzohen deputetët e VV-së.

Ramush Haradinaj, sipas Haxhiut, ishte pjesë e opozitës, ndërsa edhe Kadri Veseli ishte kryetar Kuvendi në kohën kur u hodh gazi.

Përveç tre krerëve aktualë të shtetit Haxhiu propozoi edhe dëshmitarë të tjerë.

Prokurori Valdet Gashi tha se për prokurorinë dëshmitarët e propozuar janë jorelevantë, pasi sipas tij provat e administruara kanë vërtetuar gjendjen faktike si në aktakuzë.

Pastaj trupi gjykues u tërhoq për të vendosur rreth kërkesave të Haxhiut.

Me t’u kthyer në sallë, kryetari i këtij trupi Beqir Kalludra njoftoi se është refuzuar propozimi për dëshmitarët.

“Çështja e marrëveshjeve dhe procedurave në Kuvend janë çështje krejtësisht irelavante për gjykatën”, tha Kalludra, duke arsyetuar refuzimin.

Albulena Haxhiu përveç krerëve të shtetit, propozoi si dëshmitarë edhe Pal Lekajn, Daut Haradinajn, Bali Muharremajn, Time Kadriajn, Rrustem Berishën, Lahi Brahimajn, Teuta Haxhiun, Ali Berishën, Valdete Bajramin, Fatmir Limajn, Haxhi Shalën, Shukrije Bytyqin, Zafir Berishën, Enver Hotin, Shpejtim Bulliqin, Martin Berishajn, Florim Isufajn, Kushtim Istrefin, Skender Hysenin, Isa Mustafën, Glauk Konjufcën, Aida Dërgutin, Visar Ymerin, Rexhep Selimin, Fisnik Ismailin, Besa Baftiun, Shqipe Pantinën, Smajl Kurteshin, Mytaher Haskukën, Sali salihun dhe Driton Çaushin.