KK Klinë

Albin Kurti kërkon rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, VV në Klinë koalicionin me AAK-në e quan shembullor

Nga të gjitha komunat në të cilat udhëheq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, vetëm Komuna e Klinës ka koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

Megjithëse, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka paralajmëruar protesta dhe mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Ramush Haradinajt, njëkohësisht lideri i AAK-së, koalicioni në Klinë është duke funksionuar pa asnjë problem.

Me 4 prill të këtij vitit Kurti kishte dal në një konferencë për media duke e bërë publike agjendën e tubimeve me qytetarë nëpër komuna të Kosovës, kundër “PANhajnisë dhe për zgjedhje të reja”.

“Me këto tubime nëpër komuna gjithandej Kosovës shkojmë bashkë drejt protestave qytetare dhe mocionit të mosbesimit në Kuvend që e largon këtë qeveri dhe mundëson zgjedhjet e parakohshme”, deklaroi Kurti.

Kryetari i kësaj komune Zenun Elezaj nga AAK-ja e ka konfirmuar për gazetën Jeta në Kosovë se koalicioni është duke funksionuar pa asnjë problem dhe se tubimet e LVV-së nuk kanë ndikuar në qeverisjen lokale të tyre.

Elezaj shtoi se të gjithë drejtorët duke përfshirë dy drejtorët e LVV-së që udhëheqin me drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Emergjente si dhe Drejtorinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit janë duke i kryer përgjegjësitë për të cilat thirren.

“Koalicioni është në funksion. Drejtorët janë në funksion të kryerjes së detyrave të tyre. Realisht ne nuk do të duhej që të merremi me sjelljet e tyre kurse unë jam përgjegjës vetëm karshi përgjegjësive të tyre që kanë në komunë”, tha Elezaj.

Gazeta ka kontaktuar edhe me drejtorin e Shërbimeve Publike në këtë komunë Iber Elezaj nga LVV-ja.

Ai ka ftuar edhe komunat e tjera dhe nivelin qendror që të marrin shembull nga Komuna e Klinës për qeverisje të mirë.

“Në komunë çdo gjë po zhvillohet normalisht muj me thënë që duhet me ju falenderu kryetarit i cili edhe pse është nga AAK-ja asnjëherë në asnjë projekt nuk na ka dallu gjithmonë na ka mbështetë. Për neve të LVV-së kryetari ka qenë jashtëzakonisht i kujdesshëm dhe i drejtë. Edhe me gjithë të tjerët”, tha drejtori.

Sa ju përket zhvillimeve në Lëvizjen Vetëvendosje, drejtoi i Shërbimeve Publike tha se nuk kanë ndiku në asnjë rast në punën e tyre në komunës.

“Në komunë nuk është hetu.. ne mbledhjet i kemi javorë çdo të hëne dhe as që janë diskutu ato çështje. Klina është shembull i mirë për Kosovën sepse niveli lokal dhe nacional janë dy çështje tjera nevojat në nivelin lokal janë tjera, në nivelin qendror janë tjera”, shtoi ai.

Kjo komunë e cila udhëhiqet nga AAK-ja, përveç me Vetëvendosjen ka koalicion edhe me Lidhjen Demokratike dhe Nisma Socialdemokrate.