Pamje nga seanca e sotme e gjykimit për mashtrim me subvencione - Foto: KALLXO.com

I Akuzuari: Stafi që Shqyrtoi Aplikacionet për Subvencione Ishte i Papërvojë

Në Gjykatën e Prizrenit sot ka vazhduar gjykimi i 13 të akuzuarve për mashtrim me subvencione dhe për falsifikim.

Në seancën e sotme ka dhënë mbrojtjen i akuzuari Luan Statovci.

Ai tregoi detyrat e tij si shef i Divizionit të pagesave direkte të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Sipas tij, detyrat e shefit të Divizionit të pagesave direkte kanë qenë mbikëqyrja e stafit, mbikëqyrja e procesit të aplikimit, metodat e kalkulimit për pagesë, vendosja e kalkulimeve për pagesë në sistem, përgatitja e materialit informues për fermerë, përgatitja e raporteve për pagesa për kryeshefin ekzekutiv, pjesëmarrja në përgatitjen e udhëzimeve administrative në grupe punuese.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, pyeti të akuzuarin se kush e bën shqyrtimin administrativ të dokumentacionit.

“Shqyrtimin administrativ të aplikacionit e bën stafi teknik i punësuar në Divizionin për pagesa direkte”, tha i akuzuari Statovci, duke shtuar se në Divizionin për pagesa direkte ka qenë vetëm një zyrtar me kontratë të rregullt, ndërsa për shqyrtimin e aplikacioneve për vreshta kanë qenë të punësuar 5 studentë dhe 4 praktikantë.

“Stafi ka qenë i papërvojë dhe i pakualifikuar”, tha Luan Statovci.

http://kallxo.com/akuzuari-une-jam-pale-e-demtuar/

Një ditë më parë të akuzuarit e tjerë, të cilët akuzohen për mashtrim me subvencione, në mbrojtjen e tyre kanë deklaruar se janë mashtruar nga dy persona të panjohur dhe në momentin që kanë kuptuar për këtë çështje, menjëherë i kanë kthyer paratë e përfituara nga subvencioni.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke u paraqitur rrejshëm në MBPZhR si kultivues të vreshtave, kanë përdorur “Certifikatat e vreshtarit” të falsifikuara, me ç’rast kanë përfituar subvencione në shumë deri 3 mijë euro secili.

Ndërsa, zyrtari për pagesa në MBPZhR, Luan Statovci, akuzohet se pa verifikuar dokumentet e fermerëve dhe gjendjen në terren, ka lejuar të ekzekutohen pagesa direkte në emër të subvencioneve për aplikuesit, me ç’rast i ka shkaktuar buxhetit të shtetit humbje në vlerë prej rreth 30 mijë euro.

Kryetari i trupit gjykues Artan Sejrani me propozimin e prokurores Ervehe Gashi fjalën përfundimtare e caktoi për më 9 mars.