Zgjedhjet | Foto: Atdhe Mulla

Akuza për ‘Trenin Bullgar’ në Mitrovicë

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re kanë dal me akuza për njëra-tjetrën për aplikimin e “treni bullgar”, si metodë e blerjes dhe kontrollit të votës.

Kandidati për Kryetar të Mitrovicës nga AKR, Agim Bahtiri ka shkruar në “facebook” se PDK-ja është duke e aplikuar “trenin bullgar” në Mitrovicë.

“Komisionerët tonë në klasën e tretë në shkollën “Ismail Qemali” në Mitrovicë, kanë identifikuar një grua duke dalë nga kabina e votimit me dy fletëvotime të vulosura. Njëra ishte e mbushur për PDK-në, ndërsa tjetra e zbrazët, gjë që vërteton përdorimit e “trenit bullgar” nga Klani Pronto”, ka shkruar Bahtiri. Ai i ka ftuar KQZ, Policinë dhe Prokurorinë që t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore dhe mos ta lënë më tutje manipulime me vota.

Me të njëjtat akuza kanë daluar edhe Partia Demokratike e Kosovës për kampin e Agim Bahtirit.

Në një konferencë për media, deputetja e PDK-së Blerta Deliu – Kodra tha se kryetari njerëzit e kryetarit aktual të Mitrovicës, Agim Bahtiri po e rrezikojnë procesin demokratik zgjedhor duke e aplikuar të ashtuquajtur trenin bullgar.

“.. fatkeqësisht procesin demokratik zgjedhor po e kërcënojnë dhe rrezikojnë njerëz të dyshimtë të kryetarit në largim Agim Bahtiri në Mitrovicë, duke tentuar që ta aplikojnë sërish të ashtuquajturin trenin bullgar të vjedhjeve të votave”, tha Deliu-Kodra.

Ajo duke u thirrur në raportimin e mediave, shtoi se ka të arrestuar edhe një person në Zhabar të Poshtëm të Mitrovicës, i cili është zënë jashtë vendvotimit me një fletëvotim të mbushur për AKR-në.

Deliu-Kodra tha se ky është veprim i ultë i njerëzve të Agim Bahtirit dhe ftoi qytetarët e Mitrovicës që mos të bien pre e provokimeve, siç tha ajo të ndyta dhe të votojnë sipas vullnetit të tyre për të ndryshuar Mitrovicën nga gjenjda e stagnimit.

Çfarë është Treni Bullgar?

“Treni bullgar”, si fenomen i manipulimit të zgjedhjeve është përdorë për herë të parë në Bullgari.

Votuesit jashtë qendrës së votimit marrin një fletëvotim të plotësuar, të cilin e fusin në kutinë e votimit. Ndërsa fletëvotimin të cilin e marrin në mënyrë të rregullt e nxjerrin jashtë qendrës së votimit. I njëjti fletëvotim plotësohet dhe përdorët nga një votues tjetër. Në këtë mënyrë ishte vjedhur vota në vitin 2007 në Bullgari.