Mahmut Halimi - Avokat- foto fcb

Aktakuzë ndaj sulmuesit të avokatit Mahmut Halimi

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit Sabit Lushtaku për veprat penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare si dhe “Lëndim i lehtë trupor’’.

“Prokuroria njofton se i pandehuri S.L., me datën 31.08.2018, në ndërtesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, në Departamentin për Krime të Rënda ka penguar personin zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare në atë mënyrë që me rastin e dhënies së deklaratës si dëshmitar, ka ndërprerë procedurën e marrjes së deklaratës e pastaj e ka sulmuar fizikisht avokatin M.H., i cili ka qenë prezent në zyrën e Prokurorit të Shtetit Nj.R. Me këtë rast,  avokatit M.H. i janë shkaktuar lëndime të lehta trupore pasi është goditur me grusht disa herë në anën e majtë të kokës-faqes, krahut dhe trupit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

Sipas njoftimit, me këto veprime, i pandehuri Sabit Lushtaku dyshohet se ka kryer veprat penale ‘’Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409 paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 1, si dhe “Lëndim i lehtë trupor’’, nga neni 188 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim bëhet e ditur se prokurori i shtetit, i ka propozuar Gjykatës, që të pandehurin Sabit Lushtaku ta shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit.

Po ashtu Prokurori i ka kërkuar Gjykatës që ndaj të pandehurit të vazhdohet masa e arrestit shtëpiak.

KALLXO.com ka raportuar më parë lidhur me sulmin ndaj avokatit Mahmut Halimi në objektin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.

 

https://kallxo.com/sulmohet-mahmut-halimi/

www.KALLXO.com