Aksioni në Veri: Arsyet pse gjyqtarja serbe liroi ta arrestuarit në Zubin Potok

Gjykata në Mitrovicë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë që t’ua vendosë masën e paraburgimit gjashtë të arrestuarve gjatë aksionit të njësiteve speciale të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit të martën.

Prokuroria kishte bërë kërkesë për paraburgim për Predrag  Milovanoviqin, punëtor në shërbimin teknik të spitalit Mitrovicë të Veriut dhe pesë të arrestuarit tjerë Dejan Dimoviq, Tomislav Milovanoviq, Marko Milunoviq, Ivica Milovanoviq dhe Millos Orloviq.

Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale të pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Por një kërkesë e tillë është refuzuar nga Gjykata e Mitrovicës.

Në aktvendimin gjyqtares së procedurës paraprake në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se në kërkesë përfshihen gjashtë të pandehurit dhe se prokuroria edhe në kërkesë edhe në seancë publike ka paraqitur arsyet e përgjithshme për ekzistimin e dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën e cekur penale, si dhe rrethana të cilat e arsyetojnë përcaktimin e paraburgimt.

Sipas gjykatës, gjyqtarja e procedurës paraprake ka kërkuar nga prokurori që të deklarohet në mëyrë precize dhe konkrete për secilin të dyshuar veç e veç në bazë të cilëve provave të bashkangjitura dhe në bazë të veprimeve konkrete të cilat të pandehurit i kanë ndërmarrë e arsyetojnë dyshimin e bazuar për keryejen e veprës penale me të cilën ngarkohen. Ndërsa Prokurori i Shtetit ishte përgjigjur se qëndron pranë kërkesës të cilën e ka propozuar duke mos dëshiruar të precizojë kërkesën veç e veç për secilin të pandehur.

Por, sipas gjykatës, prokurori kishte thënë se qëndron te të gjitha ato të cilat i ka cekur në kërkesën për caktimin e paraburgimit.

Gjykata ka vlerësuar se arsyetimi të cilin e ka dhënë prokurori lidhur me ekzistimin e dyshimit të bazuar është dhënë ‘në mënyrë abstrakte dhe të përgjithshme’ në krkahasim me të gjithë gjashtë të pandehurit, duke mos precizuar në mënyrë individuale dhe konkrete për secilin nga ta se cila veprime i kanë ndërmarrë të pandehurit, mundësinë e madhe se e kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen.

Nga fotodokumentacioni të cilin prokuroria ka parashtruar në gjykatë vërteton se disa persona kanë vendosur barrikadën të përbërë nga kamionë të parkuar, drunj të rrezuar, gurë, goma të djegura me qëllim që t’i ndalojnë zyrtarët policorë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Por gjykata nuk ka mundur ta vërtetojë se në ato fotografi gjenden personat kundër të cilëve është parashtruar kërkesa se si marrin pjesë në mënyrën aktive në vendosjen ose mbrojtjen e barikadave në fjalë.

Gjykata, në vendim tha se gjithashtu as nga raporti policor me shkrim dhe deklaratave të policëve të cilët kanë marrë pjesë në aksion nuk mund të vërtetohet me besueshmëri dhe pa asnjë dyshim se të pandehurit e cekur personalisht i kanë goditur me gurë, kanë gjuajtur në ta, kanë vendosur barikada në rrugë ose me çfarëdo veprimi aktiv ose pasiv kanë tentuar ta ndalojnë Policinë në kryerjen e detyrave policore.

Arsyet se pse gjykata nuk ka pranuar kërkesën e prokurorisë janë edhe në deklaratat e të pandehurve të dhëna në polici dhe në seancë. Sipas aktvendimit detajisht kanë përshkruar se momentin e privimit nga liria, kanë qenë në oborrin e shtëpisë së tyre, shtëpisë se kushërinjve të tyre, ose në afërsi të rrugës magjistrale që gjendet në largësi prej 100-500 metra nga rruga magjistrale Mitrovicë- Zubin Potok, dhe asnjëri nga ata nuk është privuar nga liria gjatë vendosjes se barikadave ose gjatë përleshjes me policinë, por kryesisht ne vendet e cekura më lartë.

Gjithashtu në vendimin e gjykatës shtohet se deklarata e të pandehruve nuk janë në kundërshtim me provat materiale të cilat prokuroria i ka parashtruar, e as nuk i ka kontestuar prokurori, gjë që për gjykatën kishte paraqitur provë të mjaftueshme se nuk ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen.