Nemanja Vllaskoviq, i dyshuar për sulm ndaj mediave në veri.

30 ditë paraburgim për personin që dyshohet se sulmoi ekipin e KALLXO.com

Gjykata Themelore e Mitrovicës i ka caktuar paraburgimin prej 30 ditësh Nemanja Vllaskoviq, i dyshuar për sulmin ndaj ekipit të KALLXO.com dhe mediave të tjera në veri të vendit.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar Bekim Veliqi nga Gjykata Në Mitrovicë.

“Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve”- ka thënë Veliqi për KALLXO.com.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla njoftoi të premten se është arrestuar një person i dyshuar, Nemanja Vllaskoviq për sulmin ndaj ekipit të KALLXO.com në Leposaviq.

“Një nga udhëheqësit e grupit që ka sulmuar gazetarët e mediumit Kallxo në Leposaviq me datë 29 maj, sapo është arrestuar. Nemanja Vllaskovic do të ballafaqohet me drejtësi për sulmet e kryera ndaj gazetarëve tanë. Të gjithë sulmuesit dhe kriminelët do të sillen para drejtësisë, kjo nuk ka alternativë” – ka shkruar ministri Sveçla në Facebook.

Me 29 maj, vetura e ekipit të KALLXO.com ishte sulmuar në Leposaviq. Veturës ishte dëmtuar gomat dhe u ishin vizatuar grafite nacionaliste serbe.

Ndërsa më 30 maj, në afërsi të objektit të komunës së Leposaviqt një grup i gazetarëve, përfshi edhe ekipin e KALLXO.com ishin sulmuar nga disa persona të maskuar.

Millun Millenkoviq i njohur si Llune u arrestua të martën (13.06.2023) nga zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës në sheshin ‘Car Llazar’ në Mitrovicën e Veriut.

Tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, iu shqiptua masa e paraburgimit.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë e mori vendimin pas kërkesës së prokurorit publik të këtij qyteti në jug të Serbisë.

Tash për tash nuk është e qartë kohëzgjatja e paraburgimit.

Të shtunën Policia e Kosovës ka arrestuar edhe serbin Dalibor Spasiq i cili dyshohet për sulmet ndaj gazetarëve javëve të fundit në 4 komunat veriore.

KALLXO.com merr vesh se Dalibor Spasiq dyshohet se është në mesin e personave që më 31 maj ka sulmuar fizikisht gazetarin e Radiotelevizionit 21, Burim Zariqi, gjatë përcjelljes së protestës në Zveçan.

Gazetarit Zatriqi fillimisht i ishte thënë të mos xhirojë e më pas protestuesit i kishin shkuar nga mbrapa duke e sulmuar në bark.