Ndertesa e Gjykates Themelore ne Mitrovice - Foto Atdhe Mulla

Kthehen në punë gjyqtarët serbë që bojkotuan punën pas suspendimit të kryetares së Gjykatës së Mitrovicës

Janë kthyer në punë gjyqtarët e nacionalitetit serb që shërbejnë në Gjykatën e Mitrovicës, të cilët kanë bojkotuar punën në shenjë revolte ndaj suspendimit të kryetares së kësaj Gjykate, Liljana Stevanoviq.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) e kishte suspenduar kryetaren e Gjykatës së Mitrovicës, për shkak të pjesëmarrjes së saj në një takim të thirrur nga presidenti serb, takim në të cilin ishte i pranishëm edhe i kërkuari nga autoritetet e Kosovës – Millan Radojiçiq.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Aishe Qorraj.

“Po, zotëri Bekim Veliqi, ushtrues detyre i kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka konfirmuar që të gjithë gjyqtarët janë kthyer në punë”, ka thënë Qorraj për KALLXO.com.

Liljana Stevanoviq ishte suspenduar më 24 mars 2022 pasi ajo kishte marrë pjesë në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq si dhe me Millan Radojiçiqin, njeriun e kërkuar nga autoritetet kosovare për korrupsion.

Lidhur me suspendimin e saj dhe me vendimin e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e organizimit të zgjedhjeve serbe në Kosovës, serbët e Kosovës kishin organizuar protesta një ditë pas marrjes së vendimit së KGjK-së.

Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, gjatë një fjalimi të mbajtur në këto protesta u ishte drejtuar protestuesve serbë që ishin mbledhur në Graçanicë, duke u thënë se suspendimi i kryetares së Gjykatës në Mitrovicë është dhunë institucionale.

“Vendimi për ta pamundësuar votimin e serbëve dhe suspendimi i kryetares së gjykatës në Mitrovicë Liljana Stevanoviq është edhe një dëshmi shtesë e planit të qartë të Qeverisë së Kosovës. Me këtë protestë kërkojmë që të ndalet dhuna institucionale sa më shpejt që të jetë e mundur. Në ditët e ardhshme do të kemi konsultime me Vuçiqin dhe të marrim vendime”, ishte shprehur ai.

Dalibor Jevtiq: Kërkojmë të ndalet dhuna institucionale sa më shpejt që është e mundur