Aksident me të Lënduar në Rrugën Prishtinë-Fushë-Kosovë

Një aksident me të lënduar ka ndodhur sot rreth orës 13:15 në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, në afërsi të Kazermës “Adem Jashari”.

Sipas zëdhënëses së Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florije Ahmeti, në këtë aksident janë disa persona të lënduar. Zëdhënësja tha për KALLXO.com se nuk i ka të gjitha detajet pasi që njësitë relevante të Policisë janë në vendin e ngjarjes duke u marrë më rastin.

“Rreth orës 13:15 tri automjete janë përfshirë në një aksident në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, afër kazermës së FSK-së. Për momentin e dimë që janë disa persona të lënduar dhe se rruga Prishtinë-Fushë-Kosovë është e bllokuar. Njësitë e Policisë janë në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Ahmeti.

Ajo gjithashtu ka treguar se në magjistralen Prishtinë – Ferizaj tek udhëkryqi në Gadime ka ndodhur një aksident tjetër ku janë lënduar katër persona.

“Një aksident tjetër me katër të lënduar sot ka ndodhur në rrugën Prishtinë – Ferizaj tek udhëkryqi në Gadime. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:43 minuta dhe në këtë aksident janë përfshirë tri vetura, njëra prej tyre i përket Policisë së Kosovës”, ka deklaruar për KALLXO.com.