Pamje nga një aksident në Kosovë - Foto: KALLXO.com

Aksident i Rëndë Afër Gjakovës, Vdes Shoferi dhe Nëna e Tij

Policia Rajonale e Gjakovës ka njoftuar se në një aksident të rëndë komunikacioni që ka ndodhur sot rreth orës 15:00 në rrugën Gjakovë – Pejë, në fshatin Skivjan, kanë humbur jetën dy persona, ndërsa dy të tjerë janë lënduar rëndë.

Në këtë aksident jetën e kanë humbur H.N., i lindur më 1975, që ishte shoferi i njërës veturë të aksidentuar, dhe nëna e tij, Sh.N. e lindur më 1951.

Ndërsa, lëndime të rënda trupore kanë pësuar S.N., 14-vjeçare, dhe Gj.P, i lindur më 1963.

Dy të lënduarit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

Sipas Policisë, deri tek aksidenti kishte ardhur deri sa dy automjete udhëtarësh ishin duke lëvizur në drejtime të kundërta, kur kanë ardhur në fshatin Skivjan njëri automjet ishte me shpejtësi shumë të madhe dhe në një moment e humb kontrollin dhe kalon në krahun e majtë ku ndeshet  me automjetin tjetër, i cili lëvizte nga krahu tjetër.

Të gjitha njësitë relevante së bashku me Prokurorin e Shtetit kanë dalë në vendin e  ngjarjes dhe me hetimin e këtij rasti po merren njësia e hetimeve të aksidenteve të komunikacionit nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë.

Ndërsa, në adresë të KALLXO.com një qytetar ka dërguar fotografi nga aksidenti i tmerrshëm që ka ndodhur sot.
Sipas qytetarit, në këtë aksident janër përfshirë një veturë “Golf 2” dhe një “BORA”.