Shpend Ahmeti pasi doli nga mbledhja e VV-së. Foto: Kallxo.com

Ahmeti: Nuk e Di a do të Ketë Dorëheqje të Tjera në Vetëvendosje

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka dalë nga mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, ku po diskutohet, ndër të tjera, për situatën e re të krijuar në këtë parti pas publikimit të një bisede në “Viber”, ku është përdorur fjalor fyes ndaj Albin Kurtit.

Ahmeti tha se do të kthehet sërish në mbledhje dhe se arsyeja pse doli është se ka për të ndezur dritat e vendosura në sheshet e kryeqytetit për festat e fundvitit.

I pyetur nëse e mbështet Albin Kurtin për kryetar të partisë, Ahmeti tha se kjo çështje nuk është temë diskutimi në Kryesi, ku edhe ai është anëtar.

“Është diskutim mbi atë se çka ka ndodhë. Mbledhja është duke shkuar si është më së miri”, tha Shpend Ahmeti.

Ai tha se nuk e di nëse do të ketë dorëheqje të tjera pas dorëheqjes së Aida Dërgutit nga Qendra e Vushtrrisë dhe nga Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosjes.

http://kallxo.com/derguti-dorehiqet-nga-postet-partiake-ne-vv/

“Diskutimi është normal. Po diskutohet për gjerat që kanë ndodhë. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Fokusi jonë primar është te aktivistët e dënuar dhe te deputetët që po mbahen në burg. Këto tash janë me rëndësi primare për Lëvizjen. Natyrisht që çështjet të tjera do të diskutohen”, shtoi Ahmeti.