AGK: Trendi i Kërcënimeve ndaj Gazetarëve i Njëjtë me Vitet e Kaluara

Trendi i kërcënimeve ndaj gazetarëve në Kosovë si duket do të vazhdojë edhe në këtë vit.

Kështu të paktën thotë kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Shkëlqim Hysenaj.

“Duket se trendi i kërcënimeve ndaj gazetarëve do të jete i njëjte me vitet e kaluara. Nga janari 2017 e deri te rasti i fundit që ka ndodhur më 10 prill 2017, gjithsej kemi 6 raste. Gjatë vitit 2016 kemi pasur 15 raste, 2015 – 15 raste dhe 2014 -16 raste”, tha Hysenaj për KALLXO.com.

Se sa është duke ndërmarrë masa për këto kërcënime AGK-ja, Hysenaj tha se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i përfshirë aktivisht në avokimin për krijimin e ambientit më të mirë për ushtrimin e profesionit të gazetarëve të Kosovës.

“Më në fund është arritur pajtim që Prokuroria e Shtetit t’i trajtojë me prioritet rastet e kërcënimit, sulmeve apo veprave të tjera penale, në rastet kur gazetarët janë viktimë. Pas takimit me AGK-në, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi i ka marrë parasysh rekomandimet tona dhe ka nxjerrë një vendim përmes të cilit prioritetizohen rastet e gazetarëve. Njëkohësisht, pas caktimit të koordinatorit nga ana e Kryeprokurorit, ne tashmë jemi në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorinë dhe së fundi ia kemi dërguar të gjitha rastet e gazetarëve duke filluar nga viti 2015, 2016 dhe 2017”, tha ai.

Ai tregoi se një numër jo aq i madh i gazetarëve kanë shfrytëzuar mundësinë që t’i dërgojnë të dhënat e rasteve të kërcënimeve.

“Po ashtu, ne kemi kërkuar edhe nga gjykatat që t’i trajtojnë me prioritet rastet e gazetarëve, ndërkohë që kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Aferdita Bytyqi është zotuar se do të urdhërojë gjyqtarët që t’i shohin të gjitha rastet e gazetarëve që janë në këtë Gjykatë për ngecjet eventuale. Po ashtu është arritur dakord që rastet e gazetarëve të trajtohen pa vonesa në të ardhmen”, shtoi ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës për të pyetur rreth rasteve të kërcënimeve të gazetarëve.

Në një përgjigje të Zyrës për Informim të Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së thuhet se këta të fundit rastet e sulmeve dhe kanosjeve të raportuara ndaj personave zyrtarë, duke përfshirë edhe gazetarët, i trajtojnë në mënyrë profesionale duke marrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme ligjore.

Disa javë më parë në emisionin “Jeta në Kosovë” u debatua për sigurinë e gazetarëve në Kosovë.

Një muaj më parë pas publikimit të episodit të parë të një dokumentari u kërcënua gazetari Fatmir Lama.

Kërcënimi i Gazetarit Shpërfaq Sfidën për Ballafaqim me të Kaluarën

E sulmuesi i gazetarit Milot Hasimja ende është i lirë.

http://kallxo.com/urdher-arrest-per-sulmuesin-e-gazetarit-milot-hasimja/

Gjatë ditës së djeshme është raportuar për kërcënimin ndaj kryeredaktores së gazetës “Zëri”, Arbana Xharra.

http://kallxo.com/agk-kerkon-nga-policia-te-hetohet-kercenimi-ndaj-arbana-xharres/