Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj.

AGK, Gjykatës: Mos i Mbyllni Seancat Ndaj Salih Mekajt

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka kërkuar nga gjykatat në Kosovë që të mos u mbyllin derën mediave në seanca të rëndësishme për opinionin në Kosovë.

Reagimi i AGK-së erdhi një ditë pasi në Gjykatën Themelore në Prishtinë mediat u përzunë nga një seancë gjyqësore në rastin e ish kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj, i cili po akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

“AGK me shqetësim ka pranuar informatat nga komuniteti i gazetarëve për vendimin e gjykatës që të përjashtojë publikun. Gazetaret ende nuk kanë qasje në aktvendimin me shkrim, siç parashihet me Kodin e Procedurës Penal”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Kjo organizatë thotë se në veçanti është “e shqetësuar” që prokurorja e rastit, Drita Hajdari, është pajtuar që gjykimi të jetë i mbyllur për publikun.

“AGK konsideron se me mbylljen e këtij gjykimi, Gjykata Themelore ka vepruar në kundërshtim me konventat ndërkombëtare pasi që ekziston interes i madh publik që ky gjykim të jetë i hapur”, thuhet në komunikatë.

http://kallxo.com/mbyllen-seancat-ndaj-sali-mekajt/

Sipas AGK-së, parimet e transparencës dhe e drejta e mediave që të informojnë publikun duhet të vihen përpara interesit të vet akuzuarit dhe familjes së tij.

“Nuk është obligim i mediave që të mbrojnë autoritetin e të akuzuarit, i cili si një zyrtar i lartë i shtetit është dashur të jetë një shembull”, thuhet në komunikatë.

Në këtë mënyrë, AGK thotë se pret nga kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi që ta udhëzojë kryetarin e trupit gjykues në këtë rast, Shasivar Hoti, t’i hapë seancat gjyqësore si dhe nga prokurorja Hajdari që në seancën e radhës ta kundërshtojë mbylljen e gjykimit.