Debati i organizuar nga OSBE për sigurinë e gazetarëve në Kosovë - Foto: KALLXO.com
AGK: Gjykata - Joserioze në Trajtimin e Kërcënimeve Ndaj Gazetarëve
Në këtë debat, i cili u organizua me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Medias, u shpërfaqën probleme të shumta me të cilat përballen gazetarët në Kosovë.
Petrit Çollaku, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), tregoi se që nga fillimi i vitit e deri tani janë evidentuar shtatë raste të kërcënimeve ndaj gazetarëve.
“Prej janarit deri tash janë shtatë raste të evidentuara dhe si duket do të jetë trendi pak a shumë i njëjtë me vitet e kaluara, ndoshta edhe do të kapërcejnë rastet siç i kemi pasur vjet dhe parvjet të kërcënimeve direkte rreth 16 raste”, tha Çollaku.
Për gjykatën kërcënimet dhe sulmet e deritanishme ndaj gazetarëve nuk duken të jenë serioze, thotë përfaqësuesi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
“Janë diku rreth 50-60 raste të cilat tashmë kanë hyrë në vitin e katërt. Nuk e di për Gjykatën po më duket duhet që gazetari ose të prehet më thikë ose të ngrehet zhag ose nuk e di se çka duhet me i ndodh atij që prokuroria dhe gjykata të merren ma me avaz dhe t’i japin një dënim”, shtoi Çollaku.
Rasti më i rëndë, sipas Çollakut cilësohet të jetë ai i gazetarit Milot Hasimja.
Trajtimin e këtij rasti nga gjykata ai e cilëson të çuditshëm, “sepse pavarësisht dëshmitarëve gjykimi ka zgjatur pothuajse një vit, i dyshuari është dënuar me 4 vite e shtatë muaj dhe një mijë euro gjobë, dhe në shkallën e dytë i është ulur dënimi”.
Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ , në shkurt, që iu dedikua sigurisë së gazetarëve në Kosovë, gazetari Milot Hasimja rrëfeu për sulmin që kishte shkaktuar shumë reagime në atë kohë. Ai kishte treguar se sulmuesi i tij vazhdon të jetë i lirë.
Fatmir Lama, nga televizioni “KohaVision” tha se Kosova nuk do jetë e lirë nëse nuk flitet lirshëm. Sipas tij, liria fitohet vetëm me guxim, andaj duhet rrezikuar për të thënë të vërtetën.
Ndërsa, kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, tha se që nga paslufta kërcënimet kanë ndryshuar formë, por nuk janë zbehur. Ajo tregoi që është përballur edhe me fyerje të ndryshme.
“Llojet e kërcënimeve kanë ndryshu formën prej pasluftës kur kanë mujtë me të thirr në telefon dhe jo lehtësisht me gjetë se kush po të thërret. Prej 2012-ës kur unë u nisa të merrem me një fushë tjetër e cila është radikalizmi fetar, ku pos kërcënimeve ka edhe fyerje”, tha Xharra.
Ndërkaq, sa i përket kërcënimit të fundit tek dera e shtëpisë, Xharra theksoi se më nuk do të dërgojë kërcënimet e ardhshme në polici sepse sipas saj, prokuroria nuk po i merr seriozisht.
“Pas disa ditësh marr vesh që prokuroria e cilëson rastin si ngacmim. Dëshpërim aq i madh sa që unë po ju them të drejtën edhe sot publikisht, unë vazhdoj me marrë kërcënime në rrjete sociale. Unë nuk kom me dërgu asnjë kërcënim në polici sepse këta kanë me kry punën e vet edhe prokuroria s’ka mujtë me zgjidhë asnjë rast”, shtoi ajo.
Kurse, Gazmend Morina, nga “Veriu. info” tha se mediumi i tij e ka punën më të vështirë për arsye se operon në një qytet të ndarë, andaj edhe janë krijuar grupe të ndryshme gangsterësh.
“Ne jemi qytet i ndarë dhe është zhvilluar edhe kontrabanda mes dy anëve të qytetit, e cila e ka stimuluar edhe krimin edhe njerëzit që merren me kontrabandë e gjëra të ngjashme. Në këtë mënyrë janë krijuar edhe grupe gangsterësh”, tha gazetari.
Morina tregoi që vazhdimisht ka shkruar për problemet e ndërmarrjes publike Trepça, por sipas tij, menaxhmenti i Trepçës asnjëherë nuk është përgjigjur me reagime zyrtare por janë munduar të blejnë heshtjen e tij.
Ai përmendi rastin kur në Vushtrri është sulmuar me shufra hekuri nga njerëz të kompanive të sigurimit “Personi i cili i ka organizu këta është shefi i sigurimit të Trepçës”, shtoi Morina.
Por, Morina thotë se edhe pse i ka shkruar Gjykatës në Mitrovicë për ta pyetur për zhvillimet rreth rastit të tij, nuk ka marr asnjëherë përgjigje.
Madje, sipas tij, sulmuesin e kanë emëruar drejtor të “Infrakos”-it.
Ndërkohë, Darko Dimitrijeviq, nga “Radio Gorazdevac” tha se gazetarët e komunitetit serb kanë pasur sulme të ndryshme, kërcënime por edhe sulme verbale.
Sipas tij, gazetarët e rinj në përgjithësi gjithnjë e më shumë po merren me tema të cilat janë vetëm sensacion, por është shqetësues edhe fakti se nuk dihet se kush qëndron prapa shumë portaleve.
Në këtë debat të organizuar nga misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës theksoi se e konsideron shqetësuese mosreagimin e gjykatave ndaj kërcënimeve të gazetarëve, mungesën e një sindikate të gazetarëve, si dhe punën e gazetarëve nëpër mediume pa kontrata.
Ndërsa, në një protestë të organizuar sot në kryeqytet, nga gazetarët u kërkua që të mos heshtin për problemet me të cilat përballen gjatë punës.
http://kallxo.com/gazetaret-ndihen-te-kercenuar-ne-diten-e-tyre/