Foto: Atdhe Mulla

Abdixhiku: Pesë Ministra Në Peshoren e Drejtësisë, Shkarkoni!

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiu kërkoi nga kryeministri shkarkimin e ministrave me aktakuza dhe atyre nën hetime, ngase siç tha mos-shkarkimi i tyre është legjitimim i vet krimit.

“Si një kryeministër mund të punoj me kaq shumë ministra rreth vetës me aktakuza. Janë 5 ministra në peshoren e drejtësisë. Ky është rekord i ri, asnjë qeveri nuk i ka 3 ministra me aktakuzë e 2 nën hetime. Ky është legjitimin i vet krimit”, tha Abdixhiku.

Ai u bëri thirrje kryeministrit e kreut të kuvendit që t`i shkarkojnë ministrat që janë nën hetime. Madje Abdixhiku përmendi edhe aktakuzën e ngritur për rastin “Pronto”.

“Vetëm javën e kaluar Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për ‘pronto’, ndonëse ishin kursyer shefat, ishin përfshirë një ministër, një deputet dhe një këshilltar i kryetarit të këtij kuvendi. Tash,  si është e mundur që një kryetar partie, pra ai i PDK-së zgjedh kaq shumë njerëz me aktakuza rreth vetes”, shtoi ai.

Abdixhiku tha se Kosova ka njerëz të mirë për të ushtruar këto pozita, por liderët zgjedhin që afër vetës të kenë këta njerëz.