7,000 Boshnjakë Ende të Pastrehë pas Luftërave të Viteve ‘90

Njëzet vjet pas përfundimit të luftës, më shumë se 7,000 njerëz të zhvendosur nga konflikti ende jetojnë në strehime të përkohshme në qendra kolektive anembanë Bosnjës dhe Hercegovinës.

Në një ndërtesë konvikti të kohës së Jugosllavisë për sportistët dhe atletët në Hrasnica, disa kilometra në perëndim të Sarajevës, 14 familje të ngelura të pastreha nga koha e luftës po presin ende strehim të përhershëm.

Asnjë nga 32 njerëzit që jetojnë atje nuk presin që gjendja e tyre të përmirësohet së shpejti.

“Është një turp që qenie njerëzore duhet të jetojnë në kushte të tilla të varfra në shekullin e XXI,” tha Sead Ajanoviq, 42 vjeç, i cili ka jetuar me familjen e tij për më shumë se 20 vjet në qendra kolektive të ndryshme në të gjithë vendin.

Ajanoviq është me origjinë nga qyteti i Cajnicës pranë Gorazhdes, në lindje të vendit, e cila pësoi spastrim brutal etnik gjatë luftës. Ai u desh të largohej nga qyteti i tij i lindjes bashkë me familjen e tij.

“Kam gruan me vete dhe së bashku u desh të rritnim katër fëmijë brenda kësaj qendre,” tha ai.

Ajanoviq ende zotëron disa toka në Cajnicë, por pasi kanë kaluar kaq shumë vite, ai nuk ka më dëshirë të kthehet në shtëpi.

“Kam një punë të vogël dhe mund të mbijetoj disi. Në Cajnicë është e pamundur të gjej një mënyrë për të fituar jetesën,” tha ai.

Jeta brenda qendrës kolektive nuk është aspak e lehtë. Shumica e familjeve kanë vetëm një ose dy dhoma për të fjetur dhe për të gatuar vaktet e tyre. Të kesh banjë personale konsiderohet privilegj.

“Disa familje janë pak më me fat dhe kanë banjat e tyre private brenda dhomave të tyre, por ne kemi banja dhe dushe të përbashkëta,” shpjegoi Miralem Salcin, veterani 51-vjeçar i luftës.

Salcin gjithashtu ka jetuar për vite me radhë në qendrën në Hrasnica, bashkë me gruan e tij, Elvedinën, dhe vajzën e tyre Azrën, e cila është 11 vjeçe.

Familja është nga Sarajeva, por ata e humbën shtëpinë e tyre gjatë luftës. Ata nuk paguajnë fatura apo qira në qendër. Megjithatë, ky është kompensim shumë i vogël për humbjet tjera të tyre, shpjegojnë ata.

“Ne nuk kemi punë dhe nuk marrim asnjë lloj pensioni apo përkrahjeje sociale. Pjesa më e madhe prej nesh mbijetojnë vetëm me punë të vogla të përditshme,” tha Miralem.

Elvedina Salcin, 35 vjeçe, së fundmi është operuar nga kanceri dhe po mjekohet. “Fatmirësisht, sigurimi im shëndetësor mbulonte kirurgjinë, por ende duhet të paguaj që të marr ilaçet. Është e vështirë. Unë jam vazhdimisht e sëmurë,” tha ajo.

Autoritetet boshnjake kanë premtuar në mënyrë të vazhdueshme se do të ndërtojnë shtëpitë alternative për familjet në Hrasnica, por asnjë nga banorët nuk pret ndonjë përmirësim së shpejti.

“Ne kemi marrë një mbështetje nga disa OJQ, por shteti dhe autoritetet e entitetit të Federatës na kanë braktisur plotësisht. Të vetmit që kujdesen për ne janë njerëzit që punojnë në Ministrinë për Refugjatët në Kantonin e Sarajevës,” tha Miralem.

Qendra kolektive në Hrasnica nuk është e vetmja në Bosnjë.

Njëzet vjet pas përfundimit të luftës, 7,247 refugjatë ende jetojnë në 121 qendra të tilla në të gjithë vendin, sipas Unionit për Kthim të Qëndrueshëm dhe Integrimin e Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Fatkeqësisht, ky problem nuk është zgjidhur pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve boshnjake dhe donatorëve ndërkombëtarë,” tha për BIRN Merhunisa Zukiq, kryetarja e Unionit.

“Ka disa strategji dhe plane për të ndërtuar shtëpi të reja për këta njerëz, por për fat të keq puna po vazhdon shumë ngadalë,” tha Zukiq.

“Problemi më i madh është se rreth 700 njerëz që jetojnë në këto qendra kolektive nën 17 vjeç që do të thotë se fëmijët që kanë lindur në këto ndërtesa gjatë viteve 1990 nuk janë larguar kurrë që këtu dhe tani po bëhen edhe vetë me fëmijë,” shtoi ajo.