Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka

600 fermerë përfitojnë farë misri në Prizren

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka gjatë ditës së sotme ka shpërndarë farë misri tek fermerët e kësaj komune.

Haskuka ka thënë se bujqësia është një prej prioriteteve të Komunës së Prizrenit, meqenëse ndikon në të gjitha fushat e zhvillimit ekonomik.

“Me qëllim të mbështetjes së fermerëve, sot bëmë shpërndarjen e farës së misrit për përfituesit e projektit “Furnizimi me farë misri””, ka shkruar Haskuka në Facebook.

I pari i Prizrenit ka treguar se përfitues të këtij subvencioni ishin 600 fermerë të komunës së Prizrenit, të cilët u furnizuan me 900 paketime të farës së misrit që do të mbillen në 450 hektarë.

Tutje Haskuka ka uruar fermerët që të kenë një vit të mbarë dhe të begatshëm.