30 Ditë Paraburgim për të Dyshuarin për Sulm ndaj Qeverisë

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e sigurisë – paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Kushtrim Avdimetaj.

Sipas Prokurorisë, Avdimetaj më 26 shkurt të këtij viti, në protestën e organizuar nga partitë opozitare, ka përdorur dhunë kundër Policisë dhe kundër objektit të Qeverisë së Kosovës, duke hedhur gurë, koktej molotovi dhe mjete të forta.

Gjithashtu, sipas Prokurorisë, Avdimetaj kishte bërë transportimin e mollotovit  me veturë e cila më pas në rrugën “Meto Bajraktari “ është braktisur dhe pastaj ai molotov ishte përdorur nga protestuesit për t’u sulmuar shtëpia e kryeministrit Isa Mustafa.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i dyshuari ka kryer veprat penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, lidhur me veprat – përdorimi i armës apo mjetit tjetër të rrezikshëm, dhe veprën pjesëmarrje në turmë që kryen huliganizëm.

Pas përfundimit të seancës, avokati i tij mbrojtës, Asdren Hoxha, për KALLXO.com tha se kundërshtoi caktimin e paraburgimit për të mbrojturin e tij.

“Konsideroj se nuk ishin përmbushur kushtet ligjore për aprovimin e kësaj kërkese sepse pProkuroria nuk e ka mbështetur kërkesën me prova të mjaftueshme. Disa fotografi në të cilat thirret Prokuroria nuk janë të mjaftueshme sepse nuk dukej fytyra e tij dhe kjo gjë paragjykohej”, tha Hoxha.

Avokati tha se i mbrojturi i tij është një student me nivel akademik dhe rreziku i ikjes nuk ekziston në këtë rast.

Po ashtu, Asdren Hoxha tha se Gjykata dhe Prokuroria po gabon nëse mendon se me  paraburgim do të disiplinojë aktivitetin politik të disa aktivistëve.

Hoxha paralajmëroi se do të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Unë brenda afatit ligjor do të parashtroj ankesë në Apel sepse ky aktvendim është i parafrazuar më shumë ndaj kushteve ligjore sesa në të vërtetë ato qëndrojnë”, tha ai.