
28 Vjeçari Vret Gruan dhe Veten
Rreth orës 1:00 të mëngjesit të sotëm policia zbuloi dy trupa të pajetë të një çifti në rrugën “Shukri Hoxha” në Ferizaj.
Sipas policisë, 28 vjeçari H. B. qëlloi gruan e tij me inicialet F. O. me armën AK-47, për ta vrarë më pas edhe veten.
Zëdhënësi i Policisë së Ferizajt Agim Gashi tha për KALLXO.com se policia doli në vendin e ngjarjes, pasi mori informata për të shtëna me armë.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, prokurori si dhe hetuesit e mjekësisë ligjore dhe në dhomë të fjetjes kanë hasur në dy trupa të pajetë, ku pas ekzaminimit nga ana e mjekut është konfirmuar se viktimat e rastit kishin ndërruar jetë,” tha Gashi.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhojat si dhe është gjetur dhe konfiskuar arma e llojit kallashnikov, me të cilën dyshohet se është kryer vepra.
Trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Me rastin janë duke u marrë hetuesit e Sektorit të Hetimeve Rajonale.
Edhe më 16 qershor në Prapashticë të Prishtinës një person kishte qëlluar një vajzë 16 vjeçare, duke vrarë më pas veten.
http://kallxo.com/ngjarje-e-rende-ne-prapashtice-qellon-veten-pasi-plagos-16-vjecaren/