Opozita të Protestojë Edhe me Flamuj të Kosovës

Protesta i kishte zënë vendin festës më 28 nëntor të vitit të kaluar, ditën të cilën shqiptarët e konsiderojnë si më të madhen në historinë e tyre.

Një varg ngjarjesh e ditëlindjesh historike e lidhin këtë datë me shqiptarët dhe të gjitha ato ngjarje lidhen me kombinimin dyngjyrësh shqiptar- kuqezi.

Kuqezi ishte edhe atmosfera atë ditë nëntori në Prishtinë kur opozita thirri mbështetësit e vet në “manifestim paqësor” për t’i kundërshtuar dy marrëveshjet që qeveria i nënshkroi në gusht me Serbinë e Malin e Zi.

Simbolet kombëtare e dominuan protestën atë ditë duke u lënë pothuaj tërësisht pasdore simbolet shtetërore të Kosovës, flamuri i saj verdh- bardh- kaltër.

Një tjetër ditë feste është rezervuar nga opozita për një protestë tjetër.

Kësaj radhe, 17 Shkurti, dita kur Kosova i mbush tetë vjet jete si shtet i pavarur do ta nxjerrë sërish opozitën në shesh. Dy marrëveshjet që sollën belanë ndërmjet qeverisë dhe opozitës janë arsyeja. E qëllimi është largimi i qeverisë dhe shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme.

Për Imer Mushkolajn prania e flamurit verdh-bardh-kaltër në protestën e caktuar në tetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë është një veprim që do ta fuqizonte kauzën opozitare.

“Në protestën e 17 shkurtit opozita nuk do të duhej ta shmangte flamurin e Kosovës. Në këtë mënyrë, ajo veç sa do ta fuqizonte kauzën e vet,” thotë analisti Mushkolaj për KALLXO.com.

Edhe politikologu Belul Beqaj mendon se me shmangien e mundshme të flamurit të shtetit nga kjo protestë, opozita vetëm do t’u ndihmojë akuzave të partive në pushtet ndaj saj.

“Mund të shmanget flamuri, sikur që është shmangur deri më tashti, por në këtë mënyrë më shumë argumente opozita i jep pushtetit i cili po thotë se opozita po dëshiron për të rrënuar Republikën, sesa opozitës që dëshiron të ruajë sovranitetin e Republikës,” thotë Beqaj.

Muharrem Nitaj, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se flamujt e republikës nuk do të mungojnë në protestë.

“Sigurisht se do të ketë flamuj të Kosovës. Ka qenë lëshim që herën e shkuar nuk ka pasur. AAK do ta marrë përsipër që në manifestimin e 17 shkurtit të jenë të pranishme edhe simbolet e shtetit të Kosovës, duke përfshirë edhe flamurin,” thotë Nitaj.

Zgjim Hyseni, anëtar i Kryesisë së “Vetëvendosjes” i jep përparësi flamurit kuqezi në protestën e 17 shkurtit, por siguron se nuk do të pengohen ata që bartin flamuj tjerë.

“17 Shkurti i vitit 2008 është festuar me flamurin kuqezi, sepse ashtu e kanë përjetuar e pritur gjithë qytetarët e Kosovës pavarësinë e Kosovës, pra si kurorëzim të çlirimit kombëtar. Nën këtë kuptim e me këtë simbolikë është zhvilluar gjithë rezistenca. Ne mendojmë se flamuri aktual është flamur i imponuar, por sigurisht se nuk do të pengohet askush për të bartur çfarëdo flamuri,” tha Zgjim Hyseni.

Para se ta caktonte datën e protestës më 17 shkurt, mes shumë aktiviteteve protestuese, opozita zhvilloi një manifestim në Prishtinë më 28 nëntor 2015 në Ditën e Flamurit, kundër marrëveshjeve për Asociacionin e Komunave Serbe dhe përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

http://kallxo.com/live-manifestimi-opozitar-i-28-nentorit/

Belul Beqaj protestimin në ditë festash e konsideron të gabuar.

“Para së gjithash përdhos kuptimin e festës, ngase në festa dalin më shumë për të festuar sesa për të protestuar. Prandaj nuk duhet barazuar arsyet e atyre që festojnë me ata që protestojnë, por në turmë një dallim i tillë nuk mund të bëhet, por ata vlerësohen mjerisht si tërësi,” thotë Beqaj.

Jo numra, po argumente

Ndërsa analisti Imer Mushkolaj jep arsyet pse mes protestave në data të ndryshme po ka edhe të tilla që po organizohen në ditët kur duhet festuar.

“Është e kuptueshme se protesta në ditë të shënuara caktohet më qëllim që të mblidhen sa më shumë njerëz, por kjo nuk do të duhej të ishte qëllim kryesor. 9 janari nuk ishte ditë feste dhe mijëra njerëz u mblodhën në Prishtinë. Kjo do të duhej t’i shërbejë opozitës si mësim se, jo datat e shënuara, por kauza e drejtë dhe organizimi i mirë i nxjerrin njerëzit në rrugë,” thotë Mushkolaj.

Edhe Muharrem Nitaj përmend protestën e 9 janarit 2016 si një argument se nuk po protestohet vetëm në ditë festash.

“Opozita e ka mbajtur protestën më të madhe në Kosovën e pasluftës me 9 janar, që nuk ka qenë kurrfarë feste. Opozita ka mbajtur dhjetëra protesta nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, në datat që nuk kanë pasur asnjë lidhje me kurrfarë festash. Kundërshtimi ndaj kësaj qeverie po rritet për njëmijë arsye. Prandaj, sipas nesh, është krejtësisht e parëndësishme nëse ky kundërshtim manifestohet në ditë festash apo në ditë zie,” thotë Nitaj.

Ai tregon pse do të protestohet pikërisht më 17 shkurt.

“Nuk ka një logjikë të protestimit nëpër festa, siç thoni ju, por 17 shkurti është datë shumë simbolike. Nuk ka ditë më domethënëse sesa që në ditën e shtetit të Kosovës, të protestohet për mbrojtjën e atij shteti, që është rrezikuar me marrëveshje kundërkushtetuese,” shpjegon drejtori i Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun në AAK, Nitaj.

Ndërsa sipas Zgjim Hysenit të “Vetëvendosjes” për gjendjen aktuale në vend më shumë ka arsye të protestohet sesa të festohet.

“Këto festa, në fakt janë data të shënuara historike që emërues të përbashkët kanë subjektivimin e popullit. Andaj, këto data janë edhe mundësi për të reflektuar mbi gjendjen aktuale dhe kuptimin e shpalljeve që janë bërë në këto data. Në gjendjen në të cilën ndodhemi këto data historike më parë janë thirrje për veprim, sesa raste për kremtim,” thotë Hyseni.

Por Imer Mushkolaj mendon se opozita nuk do të duhej të priste më shumë se një muaj për protestën e radhës.

“Pas 9 janarit, opozita do të duhej të protestonte në vazhdimësi, pa e pritur 17 shkurtin si datë të protestës së radhës. Mbase çështjet organizative dhe logjistike e kanë shtyrë opozitën që ta shtyjë edhe datën e organizimit të protestës,” thotë Mushkolaj.

protesta

Ndërsa Belul Beqaj sugjeron që numri i protestuesve të jetë më pak i rëndësishëm për opozitën në raport me argumentet e protestimit.

“Fuqia e mirëfilltë e opozitës mbase nuk duhet të matet as me numrin e atyre që dalin në protestë, por më shkallën e argumenteve pse organizohet protesta. Në këtë kuptim, mendoj se po kultivohet një qasje e gabuar e cila nuk përkon me shkaqet e mirëfillta dhe qëllimet e protestës, prandaj dalin në protesta ata që reagojnë si duhet dhe ata që reagojnë si nuk duhet!” thotë Beqaj.

Zgjim Hyseni nuk e di ende nëse opozita duke ndjekur datat e festave nacionale do të protestojë edhe më 10 qershor në Ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

“10 Qershori është një datë mjaft e rëndësishme historike që lidhet me qëndresën anti-osmane, por jo vetëm. Në të kaluarën edhe kemi protestuar me këtë datë, por është shumë herët për të thënë diçka të tillë,” shpjegon Hyseni.

Analisti Beqaj beson se deri atëherë nuk do të jetë e njëjta gjendje në vend.

“Besoj se deri atëherë nuk do të kemi këtë qeveri dhe me këtë edhe arsye  për protesta. Në të kundërtën, nëse vazhdohet me protesta deri në qershor, atëherë humbet edhe kuptimi i qeverisjes dhe protestave!” thotë Beqaj.

Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij Thaçi kanë thënë vazhdimisht deri tash se zgjedhjet e reja do të mbahen në vitin 2018, por kohëve të fundit Thaçi që është edhe pretendent për President ka shpeshtuar kontaktet me strukturat lokale të partisë që drejton.

http://kallxo.com/mustafa-qeverisje-deri-ne-2018-en/

Të martën teksa u takua me anëtarë të Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, komisionari i Bashkimit Evropian për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn kërkoi nga opozita që në vend të lotsjellësit të përdor argumentet.

http://kallxo.com/hahn-ne-be-gjuhemi-me-argumente-jo-me-gaz-lotsjelles/

Opozita vitin e kaluar me protesta, manifestime dhe pengim të punës së Kuvendit të Kosovës edhe me gaz lotsjellës, kërkonte nga qeveria tërheqjen e nënshkrimeve nga marrëveshjet për asociacionin dhe demarkacionin, të nënshkruara në Bruksel e Vjenë më 25 e 26 gusht.

13 deputetë opozitarë të dyshuar për hedhje të gazit lotsjellës u përballën me arrestime e caktime të masave të sigurisë, ndërsa ndaj 4 prej tyre u ngrit edhe aktakuzë.

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-kater-deputeteve-te-opozites/

Kur Gjykata Kushtetuese më 23 dhjetor 2015 vlerësoi që parimet për marrëveshjen e Asociacionit të Komunave Serbe nuk janë plotësisht në pajtim me frymën e kushtetutës, partitë opozitare filluan të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

http://kallxo.com/opozita-ne-proteste-kunder-qeverise/