Llogaritë e Hashim Thaçit për tërheqjen nga politika

Paralajmërimi i Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi se do të largohet nga skena politike dhe se nuk do të kandidojë për postin e Presidentit pas përfundimit të mandatit të tij, nuk shihet deklaratë e besueshme nga analisti Arton Demhasaj.

Ndërsa, analisti Belul Beqaj, vlerëson se Presidenti Thaçi e ka kuptuar se zgjidhja më pak e dëmshme dhe e dhimbshme për të është të tërhiqet nga jeta poltike.

Këto vlerësime vijnë nga deklaratat e mbrëmshme të Presidentit Thaçi në një intervistë televizive ku paralajmëroi se do të lirohet nga përgjegjësitë institucionale, publike e politike me vullnetin e tij personal atëherë kur mandati i tij aktual si President i vendit të përfundojë në prill të vitit të ardhshëm.

Thaçi në premtimin publik për largimin nga politika tha se nuk dëshiron të rikandidohet për president me arsyetimin se dëshiron të ketë jetë tjetër jashtë politikës.

“Unë nuk do të jem kandidat për President në zgjedhjet e ardhshsme… Është premtim publik. Pas disa muajsh nuk mendoj që do të rikandidohem për president se dua të kem një jetë tjetër jashtë politikës, jashtë jetës publike institucionale. Është zgjidhje e imja personale është vullnet i imi”, tha Thaçi.

Thaçi shtoi se është mjaftuar me dy dekada në krye të institucioneve dhe përgjegjësive shtetërore dhe tha se jeta e tij nuk ëshë vetëm politikë.

“Dëshiroj të lirohem nga përgjegjësitë institucionale, publike, politike dhe e bëjë me vullnetim tim personal”, tha Thaçi duke siguruar që nuk do të kandidojë as për kryeministër.

Analisti Arton Demhasaj tha për KALLXO.com, se për të nuk është e besueshme deklarata e Thaçit.

Demhasaj shtoi se presidneti aktual mund të ndryshojë qëndrim nëse arrin t’i garantojë votat edhe për një mandat tjetër.

“Nuk është personalisht që i besoj shumë këtij qëndrimi për shkak se edhe mundet me ndryshu qëndrimin. Nëse ka gjasa që në Kuvend t’i sigurojë votat e mjaftueshme mu votu edhe për një mandat për President mendoj që ai do ta bëjë. Këto deklarata janë vetëm sa me matë pulsin publik në këtë moment si do të jetë reagimi”, tha Demhasaj.

Sipas Demhasajt, nëse e ka edhe një mundësi, që ta marrë dhe një mandat në Kuvend, presidenti aktual Thaçi do ta marrë atë. Kurse për postin e kryeministrti Demhasaj shtoi se deklarata e Thaçit mund të qëndrojë.

“Sa i përket çështjes së kryeministrit ajo edhe mund të qëndrojë sepse po të dëshironte presidenti Thaçi të ishte kandidat për kryeministër ai do të duhej të kthehej edhe një herë në parti të tij në PDK dhe ta marrë nominimin. Por kjo besoj është e pamundur për shkak se tani është zoti Veseli dhe nuk besoj që do të lejojë të ndodh diçka e tillë”, shtoi ai.

Demhasaj dyshon se dialogu edhe mund të zgjatet deri në periudhën e pranverës së vitit të ardhshem në mënyrë që, sipas tij, Thaçi ta përdorë këtë si presion dhe mundësi që ta marrë edhe një mandat në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Demhasajt, nëse kjo deklaratë e Presidentit është e vërtetë dhe ka vendosur që të largohet nga skena politike ai këtë e bën për shkak se “e sheh të pamundur (ri)zgjedhjen e tij në Kuvend”.

“Arsyet mund të jenë se nëse presidenti aktual e sheh si të pamundur zgjedhjen e tij në Kuvend, për  shkak se nuk ka vota të mjaftueshme ai edhe mund ta bëjë këtë. Arsyeja kryesore mund të jetë se mund të mos ketë vota të mjaftueshme në Kuvend për me marrë edhe një mandat dhe tërhiqet nga gara ose nuk kandidon fare. Kjo mund të jetë arsyeja. Arsye tjera besoj që nuk ka”, përfundoi Demhasaj.

E analisti tjetër Belul Beqaj, tha për KALLXO.com se Hashim Thaçi pas mënyrës se si është sjellë gjatë luftës dhe mënyrës së qeverisjes pas luftës i kanë mbetur tri zgjidhje.

“Të përfundojë si klient i Gjykatës Speciale, të ballafaqohet me mllefin e shumicës së popullit ndaj tij nëse kandidohet sërish dhe të tërhiqet si pasojë e marrëveshjes me amerikanët pasi që t’i kryejë premtimet që i ka dhënë për nënshkrimin e Marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Beqaj.

Beqaj shtoi se sipas analizës së tij, Thaçi e ka kuptuar se zgjidhja më pak e dëmshme dhe dhimbshme për të është të tërhiqet nga jeta politike.

“Por kjo zgjidhje megjithatë nuk e përjashton mundësinë, nëse nuk nënshkruhet Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë se nuk do të përfundojë si klient i Gjykatës Speciale për krime të supozuara gjatë dhe pas luftës”, shtoi Beqaj.

Thaçi u zgjodh president më 26 shkurt të vitit 2016 ndërsa betimin e bëri më 7 prill ku edhe filloi mandatin e tij katër vjeçar.

Historiku i Hashim Thaçit

Thaçi ka lindur në rajonin e Drenicës në vitin 1968. Studioi në Prishtinë dhe Zyrih, ku u përfshi në veprimtari separatiste kundër regjimit të atëhershëm serb.

Në fund të viteve 1990, ai iu bashkua Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, duke u bërë udhëheqësi politik i saj dhe duke udhëhequr dialogun politik në emër të saj me Serbinë në bisedimet e dështuara të zhvilluara në Rambuje, Francë, në shkurt 1999.

Dështimi i këtyre bisedimeve, ndërkohë që luftimet në Kosovë përshkallëzoheshin, sollën ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në vitin 1999 dhe tërheqjen e detyruar të forcave serbe.

Thaçi më pas hoqi uniformën e tij ushtarake dhe i hyri politikës. Pasi Partia e tij Demokratike e Kosovës, PDK, fitoi zgjedhjet parlamentare në vitin 2007, ai u zgjodh kryeministër i Kosovës në janar 2008, pak para se Kosova të shpallte pavarësinë nga Serbia. Më 17 shkurt 2008, kryeministri i atëhershëm Thaçi lexoi deklaratën e pavarësisë në Kuvendin e Kosovës.

Ai u bë përsëri kryeministër në vitin 2011 dhe shërbeu si zv/kryeministër i parë dhe ministër i jashtëm në vitet 2014-2015.

Thaçi u përmend në raportin e politikanit zviceran Dick Marty në vitin 2010 në Këshillin e Europës, i cili akuzonte ish-anëtarët e UÇK-së se kanë kryer krime të rënda gjatë luftës së tyre për pavarësi me Serbinë, përfshirë edhe trafikim organesh. Ai raportohet se u thirr në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të krijuara për të gjykuar ish-anëtarë të UÇK-së për krime të dyshuara lufte. Thaçi ka mohuar për BIRN këto pretendime.

Thaçi u zgjodh president më 26 shkurt të vitit 2016 ndërsa betimin e bëri më 7 prill të atij viti ku edhe filloi mandatin e tij katër vjeçar.

KALLXO.com, kishte shkruar edhe për historikun e Hashim Thacit drejt kreut të shtetit.

Gjarpërimi Drejt Kreut të Shtetit