Belul Beqaj, analist
Vdes politologu Belul Beqaj
Analisti politik, njëherësh profesori universitar, Belul Beqaj, ka vdekur të dielën e 25 shtatorit.
Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët përmes një njoftimi. Sipas njoftimit, varrimi do të bëhet sot në orën 13:00 në Prishtinë.
“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se më i dashuri ynë Belul Beqaj ndërroi jetë sot më 25 shtator 2022. Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot më 25.09.2022 në ora 13:00, në varrezat e qytetit, Prishtinë (Arbëri)”, njofton Familja Beqaj.
Belul Beqaj ishte profesor universitar, autor, analist politik e ish-kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës
Beqaj lindi në Prizren më 1957, ku i kreu shkollën fillore dhe gjimnazin.
Ka diplomuar, magjistruar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Beogradit, përkatësisht në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa ka doktoruar në fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit publik të Maqedonisë.
Është autor i dhjetëra punimeve publicistike -shkencore, pjesëmarrës në konferenca të shumta brenda dhe jashtë Kosovës.
Bartës dhe bashkëpunëtor i shumë projekteve hulumtuese në Kosovë dhe jashtë, si dhe autor i disa librave.