Ndarja e çmimit 'CasTnica' nga Kossev

Dhjetëvjetori i themelimit të "KoSSev", portali ndan mirënjohje për Belul Beqajn dhe Milivoje Mihajloviqin

Portali “Kossev.info” (Kosovo Server Portal) këtë muaj ka shënuar 10-vjetorin e themelimit.

Me këtë rast, sot, më 23.02.2024, redaksia e këtij portali ka ndarë dy mirënjohje, njërën për gazetarin Milivoje Mihajloviq e tjetrën për publicistin e ndjerë Belul Beqaj.

Ky çmim me emrin “CasTnica”, sipas “KoSSev”, i jepet një individi i cili është i përkushtuar ndaj punës profesionale, përfaqësimit të interesit publik, të cilën e dallon integriteti, besueshmëria si dhe përkushtimi për paqen dhe të mirën e përgjithshme.

Çmimi për publicistin Beqaj i është ndarë vajzës së tij, Adea Beqaj, e cila mes emocionesh dhe krenarisë për të atin e falënderoi portalin.

“Është nder për mua, nënën, vëllanë dhe motrën time ta pranoj këtë çmim që flet për vlerësimin e integritetit, profesionalizimit, besueshmërisë ashtu edhe gjithë punës së babait tim. Sinqerisht jemi shumë krenarë ta pranojmë këtë çmim, të kemi të gjithë kolegët dhe shokët e tij këtu duke përkujtuar gjithë punën e tij. Besoj se si shoqëri do të gjejmë rrugën dhe të vazhdojmë të punojmë për vlerat të cilave babai u ka qëndruar pas dhe për çka qëndron ky çmim”- përfundoi ajo.

Adea Beqaj, vajza e politologut Belul Beqaj. Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Edhe gazetari Milivoje Mihajloviq u shpreh falënderues për çmimin e fituar. Edhe ai kujtoi me nostalgji kolegun dhe punën që kanë ndarë së bashku.

“Në vitin 2018 fjalori i Oksfordit kishte përzgjedhur për fjalë të vitit fjalën “toksike”. Mbi të gjitha sepse ishte vlerësuar se kjo është situata në të gjitha mediat anembanë botës, në rrjete sociale. Ky toksicitet i hapësirës publike në një mënyrë ka iniciuar këtë dialogun tonë. Lidhja e Prishtinës, siç thoshte miku im Belul Beqaj, eja ta deksifikojmë pak këtë hapësirë publike. Kështu, kemi shkëmbyer shkrimet sinqerisht, miqësisht, ndershëm. Kisha thënë ndershëm. Fatkeqësisht kjo u ndërpre kur atë e kapi sëmundja serioze dhe kur shkoi para kohe, shpresoj në një vend më të mirë. Njeriu deri në moshën 4-vjeç mëson të flasë, nga mosha 4-vjeç mësohet të hesht”- kujton Mihajloviq.

Milivoje Mihajloviq, gazetar dhe analist. Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com

Ndërsa redaktorja e portalit “KosSev”, Tatjana Llazareviq, foli për meritorët që fituan këto çmime.

“Zgjedhja jonë këtë vit nuk ishte e vështirë, na u imponua vetë. Në kohë të armiqësive, të përhapjes së urrejtjes dhe të keqes, promovimit të hipokrizisë, gënjeshtrave dhe propagandës, korrespondenca e tyre në portalin tonë ishte zëri i së vërtetës dhe arsyes; matës i mirësjelljes që nuk cenonte sinqeritetin intensiv të dëshmuar prej tyre. Ata kanë rrëfyer përvojën e tyre të thellë të brendshme të shoqërisë në të cilën jetojnë dhe në të cilën kontribuojnë aktivisht, gjithmonë nga distanca kritike e një individi që sensibilizon veten dhe rrethin. Ata folën njëri me tjetrin. E tillë ishte Lidhja e Prishtinës nga ana e tyre” – deklaroi Tatjana Llazareviq.

Redaktorja e portalit Kossev, Tatjana Llazareviq. Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com

E idenë për dhënien e këtij çmimi e kishte dhënë Danica Vuceniq, gazetarja televizive dhe autorja e emisionit ‘Iza Vesti’, e cila ndër të tjera tregon sakrificat e portalit ndër vite.

“Fillimisht dua ta them se isha shumë e emocionuar për shkak të thirrjes së kolegeve dhe kolegëve nga redaksia e ‘KoSSev’ që të vij sot këtu, për dy arsye. Asnjëra nuk është për arsye se çmimi është themeluar me propozimin tim. Nuk ka qenë fryt i të menduarit të thellë por ideja më kishte lindur sepse është aq logjike që ‘KoSSev’, për shkak të gjitha gjërave që përfaqëson, të vendos kush ka merituar çmimin vjetor. Në këtë kontekst, dua të theksoj se ndonëse redaksia e ‘KoSSev’ është nën sulmet e pareshtura politike që prej themelimit, ndonëse është krijuar në rrethana të jashtëzakonshme, mban ligjërata nga gazetaria, kredibiliteti, integriteti, guximi dhe në fund të nderit profesional në të gjithë rajonin. Prandaj ju faleminderit që më keni pranuar në shoqërinë tuaj!”- ka thënë Vuceniq.

Danica Vuceniq, gazetare  Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Ndryshe, profesori universitar e politologu, Belul Beqaj, ishte ndarë nga jeta më 25.09.2022 në moshën 65-vjeçare.

Rubrikën për “KoSSev” e kishte plotësuar miku i tij i ngushtë miku dhe kolegu i tij Ismet Hajdari.

“Ai me të vërtetë ishte i përkushtuar për dialogun dhe bashkëjetesën dhe përfundimisht besonte në të si e vetmja rrugëdalje nga telashet ballkanike. Kishte mirëkuptim për anën tjetër, ishte krenar për atë që ishte e tija dhe gjithashtu e respektonte të huajën, i gëzohej jetës së përbashkët, e mërziste dhe e pikëllonte urrejtja, keqkuptimi dhe mosedukimi. Nuk e duronte dot korrupsionin e liderëve të këqij”- ka thënë Hajdari.

Ndërsa Mihajloviq, sipas “KoSSev” është ekspert i çështjeve të Kosovës. Ai është ndër gazetarët e paktë serbë që edhe pse u detyrua ta braktiste Prishtinën, nuk e braktisi asnjëherë Kosovën, duke dëshmuar aktivisht për të kaluarën dhe të tashmen. Në epokën e rënies së profesionit të gazetarit, ai e ruajti dinjitetin, por edhe integritetin e tij. Në ngjarjet e trazuara politike dhe fatin që e përjetuan serbët nga Kosova, ai nuk u dorëzua as nuk u ngrit në narrativat e autoriteteve zyrtare.