210 milionë euro për rehabilitim e hekurudhës Fushë Kosovë - Hani i Elezit

Sot është nënshkruar kontrata për rehabilitimin e linjës hekurudhore Fushë- Kosovë- Han i Elezit, e cila është premtuar se do të përfundojë në pranverë të vitit 2021.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj,  nënshkrimin e kësaj kontrate e ka quajtur “ditë feste” në Kosovë.

“Sot është një ditë feste në Kosovë, për faktin se fillojnë punimet për renovimin, rehabilitimin, aftësimin e njërit prej sektorëve të rëndësishëm, atë të hekurudhave të Kosovës, sektorit 10-të, që është Fushë Kosovë-Hani i Elezit”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka shtuar se këto punime do të zgjasin 24 muaj, deri në pranverë të vitit 2021.

“Ky është një investim i përbashkët, investon populli i Kosovës nga buxheti i vet, por po ashtu investon edhe BE-ja, përmes fondeve të IPA-s për aftësimin e hekurudhave tona”, tha kryeministri Haradinaj, duke uruar për këtë të arritur të sotme”, ka thënë kryeministri.

Kryeministri ka paralajmëruar se shumë shpejtë do të nënshkruhen kontratat edhe për dy seksione të tjera, dhe se për këto seksione puna do të ndodhë më shpejtë dhe se në pranverë të vitit 2021 jo vetëm që do të jetë i përmbyllur seksioni nga Fushë Kosova deri në Han të Elezit, por do të jenë të përfunduara edhe deri në Merdare.

Ndërsa, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka treguar se ky projekt do të realizohet me paratë e siguruara nga Qeveria e Kosovës.

“Sot do të fillohet me implementimin e projektit prej 210 milionë euro, para të siguruara nga Qeveria e Kosovës përmes Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim”, tha Lekaj.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Agron Thaçi, Kryeshef Ekzekutiv në Hekurudhat e Kosovës, i cili u shpreh se kjo është një ditë e veçantë që po kurorëzohet me një lidhje të kontratës për Rehabilitimin e linjës hekurudhore.

“Ky projekt do të ketë efekt jo vetëm në ekonominë dhe mirëqenien tonë, por edhe në rajon dhe më gjerë. Ky projekt do të na mundësojë të krijojmë lëvizje më të lehta dhe më të lira të qytetarëve dhe të mallrave”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se javën e ardhshme do të lansohet edhe projekti tjetër prej 40 kilometrave dhe deri në pjesën e parë të vitit 2021 do të jenë  të përfunduara afër 100 kilometra.

Luigi Brusa, shef i Sektorit nga Seksioni i Bashkëpunimit i zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, tha se janë duke nisur një udhëtim së bashku i cili do të zhvillohet në tri faza dhe se me këtë ata janë duke bashkuar njerëz.

“Jemi duke nisur një udhëtim, por ky është një udhëtim i vërtetë, sepse do të ketë një ndikim shumë pozitiv nga ky investim në ekonominë e Kosovës. Është një investim i vërtetë sepse do të krijohen rreth 160 vende pune”, tha ai.