16 Milionët e Munguar për Qendrën e Suharekës

Shumica e drejtorëve komunalë munguan në këtë seancë të asamblesë, por ata në mbledhje i solli shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së, Alush Shala kur kërcënoi me largim të këshilltarëve të kësaj partie në rast se nuk vijnë drejtorët, derisa pikë e rendit të ditës ishte informata për administrimin e buxhetit të Komunës së Suharekës në periudhën janar – mars 2016.

Edhe asamblisti i AAK-së Pal Baftiaj kritikoi drejtorët komunalë të Suharekës. Tha se ata janë bërë më kryetarë se kryetari, pasi tash nuk po i pranojnë qytetarët në takime.

Pika që ngriti më së shumti diskutim ishte  shqyrtimi i Projekt-Vendimit për Miratimin e Planit Rregullues të Hollësishëm për Zonën “Qendra” në Suharekë, i cili sipas Drejtorisë së Urbanizmit do të kushtojë 16 milionë euro, por këto mjete aktualisht nuk i ka komuna.

Ky propozim u vota nga të gjithë asamblistët, me përjashtim të atij të LVV-së Leonard Shala, i cili abstenoi.

Në të njëjtën mbledhje kryetari i komunës Sali Asllanaj u pyet nga asamblisti i PDK-së, Jeton Rrakaqi, se kur do të vendoset fotoja e presidentit Hashim Thaçi në zyrën e kryetarit dhe në sallën e asamblesë.

“Si institucionalist që thirresh shpesh, pse nuk është fotografia e Presidentit në objektet të cilat i mbani ju edhe në zyrën tënde, pikërisht,” kërkoi të dijë Rrakaqi.

Asllanaj u përgjigj se atë ditë kur do t’i vijë fotografia e Presidentit, do ta vendosë në zyrë.