Studimi: Pijet energjike janë të rrezikshme për fëmijët

Pijet energjike, pijet e gazuara me kafeinë të shtuar, janë një dukuri e shpeshtë në treg. Për shkak të paketimit shumëngjyrësh dhe shijes së ëmbël, ato janë shumë tërheqëse për fëmijët (por edhe për të rriturit).

Ndërkohë që ndikimi i tyre tek të rriturit është i mirënjohur, shkencëtarët nga Koreja e Jugut dhe SHBA donin të përcaktonin se si ato ndikojnë tek fëmijët.

Studimi, i botuar në revistën Substance Use and Abuse, shqyrtoi më shumë se 2,000 fëmijë në SHBA midis moshës nëntë dhe dhjetë vjeç dhe se si konsumimi i pijeve energjike ndikon në sjelljen e tyre.

Shkencëtarët kanë zbuluar se fëmijët që pinë pije të gazuara me kafeinë çdo ditë janë më impulsivë, kanë memorie të dobët pune – dhe, çuditërisht, kanë më shumë gjasa të provojnë të pinë alkool në një moshë më të re.

Gjetjet tona sugjerojnë se konsumimi i përditshëm i pijeve të gazuara me kafeinë tek fëmijët gjithashtu ndikon në përdorimin e hershëm të substancave të ndaluara në të ardhmen e afërt, thotë Mina Kwon, studente psikologjie në Universitetin Kombëtar të Seulit dhe autore kryesor i studimit.

Një shpjegim i mundshëm është se substancat që përmbahen në pijet freskuese me kafeinë (kafeina dhe sheqeri) mund të shkaktojnë një efekt toksik në tru, duke e bërë individin më të ndjeshëm ndaj efekteve përforcuese të substancave më të rënda si alkooli.

Ekipi hulumtues i ka ekzaminuar të dhënat nga Instituti Kombëtar i Shëndetit të botuara në Studimin e Zhvillimit Njohës të Trurit të Adoleshentëve dhe ka kryer një analizë statistikore për të parë nëse kishte një korrelacion midis pirjes së përditshme të pijeve të gazuara me kafeinë dhe faktorëve të njohur të rrezikut të abuzimit me substanca, si p.sh. memorie, impulsivitet i lartë dhe përpunim jonormal.

Ata gjithashtu e kanë ekzaminuar aktivitetin e trurit të fëmijëve të cilëve iu kërkua të kryenin detyra të caktuara për ta vlerësuar kujtesën e tyre të punës dhe nivelin e impulsivitetit.

Studiuesit zbuluan se fëmijët që pinin pije energjike dhe pije të gazuara çdo ditë ishin të lidhur me faktorë rreziku neuro-sjellës për abuzimin e substancave, të tilla si rezultate më të larta të impulsivitetit dhe memorie më të dobët të punës. Ata zbuluan gjithashtu se këta fëmijë kishin dy herë më shumë gjasa të provonin dhe të fillonin të pinin alkool brenda një viti.

Hulumtimi i tyre sugjeron se pijet me kafeinë janë hapi i parë drejt konsumimit të alkoolit.

Një shpjegim i mundshëm është se substancat që përmbahen në pijet e gazuara me kafeinë (kafeina dhe sheqeri) mund të kenë efekte neurofiziologjike dhe t’i inkurajojnë konsumuesit e rregullt të pijeve të gazuara ta provojnë alkoolin brenda 12 muajve, shkruajnë studiuesit.

Megjithatë, shkencëtarët paralajmërojnë se fëmijët që vazhdojnë të përdorin substanca më të forta tashmë janë të predispozuar gjenetikisht ndaj sjelljeve të varësisë. Në fakt, një fëmijë tashmë mund të ketë kontroll të dobët të impulsit para se t’i provojë pijet e gazuara.

Ekipi ka bërë thirrje për kërkime të mëtejshme për t’i zbuluar të gjithë faktorët e rrezikut, duke mbrojtur gjithashtu një dozë të sigurt dhe të rekomanduar të soda-s me kafeinë për fëmijët.

Nuk ka konsensus për një dozë të sigurt të kafeinës për fëmijët dhe disa fëmijë mund të jenë më të ndjeshëm ndaj efekteve negative që lidhen me konsumimin e shpeshtë të kafeinës sesa të tjerët, thotë studiuesi kryesor dhe profesor Woo-Young Ahn nga Universiteti Kombëtar i Seulit./Scimex

Përgatiti: Nuhi Shala