Shëndeti - Një ilaç i ri e ngadalëson sëmundjen e Alzheimerit me një të tretën

Mund të futemi në epokën e trajtimeve të Alzheimerit pasi ilaçi i dytë në më pak se një vit është treguar se ngadalëson këtë sëmundje.

Ekspertët thanë se tani jemi “në prag” të disponueshmërisë së barnave, diçka që kohët e fundit dukej “e pamundur”.

Kompania Eli Lilly ka raportuar se ilaçi i saj – donanemab – e ngadalëson ritmin e Alzheimerit me rreth një të tretën.

Megjithatë, dy vullnetarë, dhe ndoshta një i tretë, vdiqën si pasojë e ënjtjes së rrezikshme në tru.

Gungë ngjitëse

Donanemab funksionon në të njëjtën mënyrë si lecanemab, i cili bëri tituj në mbarë botën kur u vërtetua se e ngadalëson sëmundjen.

Të dy janë antitrupa si ato që trupi i prodhon për t’i sulmuar viruset. Por këto janë krijuar për ta pastruar gunën ngjitëse nga truri, të quajtur beta amiloide.

Amiloidi grumbullohet në hapësirat midis qelizave të trurit, duke formuar pllaka dalluese që janë një nga shenjat dalluese të Alzheimerit.

“Beteja e gjatë për disa dekada për të gjetur trajtime që e ndryshojnë sëmundjen e Alzheimerit po ndryshon”, thotë Dr Cath Mummery, udhëheqësi në klinikën e çrregullimeve njohëse/kognitive në Spitalin Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar për Neurologjinë dhe Neurokirurgjinë.

“Tani po futemi në kohën e modifikimit të sëmundjes, ku mund të shpresojmë realisht ta trajtojmë dhe mbajmë dikë me sëmundjen Alzheimer, me menaxhim afatgjatë të sëmundjes dhe jo me kujdes paliativ dhe mbështetës”.

Detajet e plota të provës të Eli Lilly-t ende nuk janë publikuar – mirëp ajo i ka zbuluar gjetjet kryesore:

  • 1734 persona në fazat më të hershme të Alzheimerit kanë marrë pjesë në provë.
  • Donanemabi është dhënë si një infuzion mujor derisa pllakat dalluese në tru janë zhdukur.
  • Ritmi i sëmundjes është ngadalësuar me rreth 29% në përgjithësi – dhe me 35% në një grup pacientësh, studiuesit mendonin se kishin më shumë gjasa të përgjigjeshin.
  • Ata që u morën me ilaçin ruajtën gjithashtu më shumë nga jeta e tyre e përditshme, si për shembull aftësia për t’i diskutuar ngjarjet aktuale, për të vozitur ose për të ndjekur hobi.

Megjithatë, ënjtja e trurit ishte një efekt anësor i zakonshëm në deri në një të tretën e pacientëve.

Ai ishte kryesisht i lehtë ose asimptomatik, pavarësisht se u zbulua në skanimet e trurit – por 1.6% zhvilluan ënjtje të rrezikshme të trurit, me dy vdekje që i atribuoheshin drejtpërdrejt dhe një vullnetar i tretë vdiq pas një rasti të tillë.

“Ne jemi të inkurajuar nga përfitimet e mundshme klinike që mund të ofrojë donanemabi, megjithëse si shumë trajtime efektive për sëmundjet dobësuese dhe fatale, ka rreziqe të lidhura që mund të jenë serioze dhe kërcënuese për jetën”, thotë Dr Mark Mintun, nënkryetare e kërkimit dhe zhvillimit të neuroshkencës, Eli Lilly Group. 

Kompania thotë se do ta fillojë procesin e miratimit të ilaçit të saj për përdorim në spitale në muajt e ardhshëm.

Dr Liz Coulthard, nga Universiteti i Bristolit, thotë se ka “efekte anësore të rëndësishme” dhe mungesë të të dhënave afatgjata, por ilaçi mund t’i “ndihmojë njerëzit të jetojnë mirë me Alzheimer për një kohë më të gjatë”.

‘Dukej e pamundur’

Të kesh dy ilaçe që ngadalësojnë sëmundjen duke e targetuar amiloidin në tru, gjithashtu i ka bindur shkencëtarët se janë në rrugën e duhur pas dekadash mjerimi dhe dështimi.

“Kjo arritje duhet ta largojë çdo dyshim të vazhdueshëm në lidhje me këtë qasje”, thotë Prof John Hardy, nga Instituti i Kërkimeve të Dementisë në Mbretërinë e Bashkuar, puna e të cilit çoi në idenë e targetimit të amiloidit, 30 vjet më parë. “Të kesh dy barna është e mrekullueshme për konkurrencën”.

Dr Susan Kolhaas, nga Alzheimer’s Research UK, thotë se “tani jemi në majë të një gjenerate të parë trajtimesh për sëmundjen e Alzheimerit, diçka që shumë e mendonin të pamundur vetëm një dekadë më parë”.

Megjithatë, këto barna duket se funksionojnë vetëm në fazat më të hershme të sëmundjes – përpara se truri të dëmtohet shumë.

Dhe nëse këto ilaçe miratohen në Mbretërinë e Bashkuar, do të duhej ende një revolucion në mënyrën se si sëmundja diagnostikohet për ta bërë një ndryshim.

Vetëm 1-2% e njerëzve kanë ose skanime të trurit ose një analizë të lëngjeve kurrizore për ta përcaktuar nëse në të vërtetë kanë Alzheimer ose një formë tjetër të demencës kundër së cilës ilaçet do të ishin të padobishme.

Dhe Instituti Kombëtar i Shendetit do të duhet të vendosë nëse mund t’i përballojë ato. Lecanemab kushton më shumë se 21,000 funta për person në vit./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala