OBSH: Trajtimi i duhur i hipertensionit mund t’i shmangë 76 milionë vdekje në mbarë botën deri më 2050-ën

Efektet e rrezikshme të presionit të lartë të gjakut janë nënvizuar në një raport të ri nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që e identifikon gjendjen si një nga faktorët kryesorë të rrezikut në botë për vdekjen dhe paaftësinë.

I publikuar të martën, raporti i parë i OBSH-së mbi ndikimin global të presionit të lartë të gjakut, i njohur gjithashtu si hipertensioni, ofron rekomandime për mënyrat për të luftuar “vrasësin e heshtur”.

Hipertensioni, i kategorizuar si një tregues i presionit të gjakut prej 140/90 mmHg ose më i lartë, prek 1 në 3 të rritur në mbarë botën, sipas raportit të lartcekur. Zakonisht çon në një sërë problemesh të tjera shëndetësore, duke përfshirë goditje në tru, sulm në zemër, dështim të zemrës dhe dëmtim të veshkave.

“Hipertensioni mund të kontrollohet në mënyrë efektive me regjime të thjeshta mjekimi me kosto të ulët, dhe megjithatë vetëm rreth një në pesë persona me hipertension e kanë kontrolluar atë”, thotë Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, në një njoftim për media.

Vendet me performancë të lartë, të tilla si Kanadaja dhe Koreja e Jugut kanë ofruar programe kombëtare gjithëpërfshirëse të trajtimit të hipertensionit, sipas OBSH-së, dhe të dy vendet e kanë tejkaluar pikën prej 50% për kontrollin e presionit të gjakut tek të rriturit me hipertension.

Një rritje e numrit të njerëzve të trajtuar efektivisht për hipertensionin në nivelet e vërejtura në vendet me performancë të lartë mund të parandalojë 76 milionë vdekje midis viteve 2023 dhe 2030, thotë OBSH.

Këto masa parandaluese përfshijnë ngrënien e një diete të shëndetshme, mbajtjen e një peshe të shëndetshme, shmangien e alkoolit dhe duhanit dhe ushtrimin e rregullt, thuhet në raport. Këto strategji duhet të zbatohen në mjedise specifike, të tilla si shkollat dhe në vendin e punës për t’i promovuar më tej zgjedhjet më të shëndetshme të jetesës, thotë Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Një tjetër taktikë është ulja e konsumit ditor të natriumit.

“Shumica e sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru në botë sot mund të parandalohen me ilaçe të përballueshme, të sigurta, të arritshme dhe ndërhyrje të tjera, si reduktimi i natriumit”, thotë Michael Bloomberg, ish-kryebashkiak i Nju Jorkut dhe ambasadori global i OBSH-së për sëmundjet dhe lëndimet jo të transmetueshme.

Konsumi i rekomanduar i natriumit ndryshon nga vendi në vend, por OBSH rekomandon më pak se 2000 miligramë në ditë. Konsumimi mesatar global i kripës është më shumë se dyfishi: 10.8 gram në ditë, thotë organizata.

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandojnë marrjen e më pak se 2300 mg natrium në ditë. Mesatarisht, amerikanët konsumojnë më shumë se 3,400 mg natrium në ditë.

Në vitin 2013, të 194 vendet anëtare të OBSH-së u angazhuan për ta reduktuar marrjen e natriumit me 30% deri në vitin 2025, mirëpo një raport i publikuar këtë vit tregoi se vetëm 5% i kishin zbatuar politika gjithëpërfshirëse të reduktimit të natriumit.

Shtetet e Bashkuara patën një rezultat prej 3 nga 4 në raport për të patur të paktën një politikë të detyrueshme të natriumit dhe një deklaratë të natriumit në ushqimin e parapaketuar.

Hipertensioni është i përhapur në SHBA, duke prekur rreth 32% të njerëzve të moshës 30 deri në 79 vjeç.

Rreth 1.2 milionë vdekje në SHBA mund të shmangen deri në vitin 2040 nëse gjendja kontrollohet në mënyrë efektive, vlerëson raporti. Por në mënyrë që SHBA të arrijë një normë kontrolli prej 50%, 693,000 më shumë njerëz me hipertension do të duhet të trajtohen në mënyrë efektive.

Çdo orë, më shumë se 1000 njerëz vdesin nga goditjet dhe sulmet në zemër, sipas Dr. Tom Frieden, president dhe Kryeshef Ekzekutiv i organizatës Resolve to Save Lives dhe ish-drejtor i CDC. “Shumica e këtyre vdekjeve shkaktohen nga presioni i lartë i gjakut dhe shumica mund të ishin parandaluar”.

OBSH gjithashtu vuri në dukje se hipertensioni dhe komplikimet e tij rezultojnë në kosto “të mëdha” në mbarë botën për pacientët, sistemet e kujdesit shëndetësor dhe ekonomitë kombëtare.

“Kujdesi i mirë ndaj hipertensionit është i përballueshëm, i arritshëm dhe forcon kujdesin parësor shëndetësor”, shton Frieden. “Sfida tani është të kalojmë nga “brenda e së arrithsmës” në “të arritshmen”. Kjo do të kërkojë angazhimin e qeverive në mbarë botën”./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala