Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Ramush Haradinaj: Shteti Jep Para në të Zezën

Në interpelancën për vendimin për rritjen e pagave të qeveritarëve, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e pranoi se paratë e buxhetit, në disa raste, shpenzohen edhe duke shmangur procedurat e rregullta ligjore.

“Shteti është shtet, i ka disa shpenzime. Jep pare edhe në të zezën për tema të caktuara, ka mënyra të shmangies së procedurave për tema të ndryshme”, tha Haradinaj në debatin në të cilin deputetët e opozitës e akuzuan se ka marrë vendimin për rritje të pagave në kohën kur mijëra familje në Kosovë përballen me kushte të rënda të jetës.

Por Haradinaj nuk e pranoi këtë si arsyetim.

“Kjo ideja e shumë prej juve sa të ndershëm jeni me kursy popullin po del hipokrite, besoni. Na e njohim njëri- tjetrin, i kemi marrë këto meditje, kemi shku, kemi hy, kemi dalë. Ne i kemi listat, mundemi me i publiku. Të gjithë marrim. Unë skam ba reklamë gjatë punës time. Nuk kam dalë me u lavdëru me vendim temin. Është pak e habitshme për mu”, tha Haradinaj.