Qyetarët ankohen për mungesa të shamponit e letrës, QKUK e mohon

Brenda disa muajve është përsëritur ankesa e qytetarëve për mungesa të mjeteve elementare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Pacientë të shtrirë atje thonë se në klinikat e kësaj qendre nuk ka letra hixhienike e shampon.

“Vetë kam blerë shampon e letër sepse nuk ka pasur këtu në Klinikë, nuk e di a ka e nuk po i qesin por na nuk kemi pasur dhe i kemi ble” thotë njëra nga pacientet e shtrira në Klinikën e Gjinekologjisë në kushte anonimiteti.

Përderisa në shkurt QKUK kishte thënë se këto mungesa po vijnë si pasojë e shpenzimeve enorme dhe pa kontrollë, këtë herë ata kanë mohuar  pretendimet e qytetarëve.

“Zyra për informim ju njofton se Qendra Klinike Universitare e Kosovës njofton se në vazhdimësi ka furnizuar dhe është duke i furnizuar klinikat me letër higjienike dhe shamponë të nevojshëm. Vetëm në muajin maj, klinikat janë furnizuar me 4 mijë e 500 pako me shampon, 18 mijë pako letra higjienike për duar, 2 mijë e 400 pako letra për tualet. Ndërkaq, furnizime ka pasur edhe në muajt e kaluar, si në muajin Prill, poashtu edhe muajt tjerë. Kërkesat janë bërë nga klinikat edhe për muajin qershor, klinikat janë duke u furnizuar” thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

Sipas tyre është rritur për 30 përqind sasia e letrës higjienike dhe shamponëve, në mënyrë që nevojat të jenë të plotësuara në tërësi.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për mungesën e gjërave elementare në Qendrë Klinike Universitare të Kosovës .

https://kallxo.com/mungese-e-shamponeve-dhe-letrave-higjienike-ne-qkuk/