Pas katër vitesh zgjidhet problemi pronësor për zgjerimin e rrugës Komoran-Klinë e Epërme

Kryetari i Komunës së Skenderajt ka njoftuar se pas rreth katër viteve është zgjedhur problemi pronësor, i cili i hap rrugën vazhdimit  të zgjerimit të rrugës Komoran – Klinë e Epërme.

Jashari është takuar me pronarët e pronave, përgjatë së cilave do të kalojë segmenti rrugor, që sipas tij, projekti i zgjerimit të rrugës me 4 korsi do trajtohet me vlerën e tregut.

“Unë i mirëkuptoj shqetësimet e tyre, dhe me të drejt mund të shprehin skepticizëm, por i sigurova se Komuna e Skenderajt dhe unë si kryetar, ofrojmë garanci të plotë, të nënshkruar madje, se asnjë milimetër e atyre pronave nëpër të cilat do të realizohet projekti i zgjerimit të rrugës me 4 korsi, nuk do të zhvlerësohet, por do të trajtohet dhe kompensohet me vlerën e tregut”, thuhet në njoftimin e kryetarit Bekim Jashari në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai në këtë njoftim ka thënë se javën e ardhshme do të takohen sërish për të nënshkruar një deklaratë, që sipas tij është “për të prezantuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm të titullarëve të pronave, në mënyrë që të vlerësohet saktësisht nëse dikujt prej pronarëve i është bërë kompensim. Në të kundërtën, asnjë pronari nuk do t’i hyhet në hak”.