Foto: KALLXO.com

Gjykimi për pronën e “Infrakos”-it, aprovohet propozimi për raport financiar për dëmin e shkaktuar

Shtatë të akuzuar, ish-zyrtarë të Komunës së Prizrenit dhe zyrtarë të ndërmarrjes publike “Infrakos”, kanë dalë para Gjykatës për t’u përgjigjur për akuzat e Prokurorisë.

Sadik Paçarizi, Nijazi Kryeziu, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj, Bashkim Krasniqi, Agron Thaçi dhe Naim Avdyli po ngarkohen lidhur me veprën e  keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Në seancën e sotme Gjykata ka aprovuar  propozimin e prokurorit që të bëhet raporti financiar lidhur me vlerësimin e dëmit që i është shkaktuar “Infrakos”-it.

Genc Nixha, një ditë më parë, më 22 shkurt,  kishte propozuar që të bëhet ekspertiza financiare për dëmin që i është shkaktuar “Infrakos”-it.

Gjykimi për pronën e ‘Infra-Kos’, Prokuroria propozon ekspertizë financiare për dëmin e shkaktuar

Ndërkaq, me fillimin e kësaj seance, ai  kërkoi nga Gjykata  që të bëhet përmirësimi i fjalës ekspertizë siç kishte deklaruar, dhe atë ta zëvendësojë me fjalën raport për dëmin e shkaktuar.

Mirëpo, edhe përkundër këtij ndryshimi, të akuzuarit bashkë më mbrojtësit kërkuan nga Gjykata që ky propozim të refuzohet.

Mirëpo, kryetarja e trupi gjykues, Teuta Krusha, aprovoi propozimin e prokurorit ku me këtë rast ka obliguar përfaqësuesin e Infrakos-it që në një afat optimal të caktojë vlerësimin e dëmit të shkaktuar nga veprimet e të akuzuarve duke precizuar për secilin të akuzuar llojin dhe lartësinë e dëmit të shkaktuar.

Pas kësaj, gjatë pjesës së dytë të seancës e deri në përfundimin e orarit të punës nga gjykata u bë leximi i provave materiale.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast u caktua për më 1 dhe 24 prill 2022.

Sipas aktakuzës, tre nga shtatë të akuzuarit e lartcekur Sadik Paçarizi, Nijazi Kryeziu, Visar Islamaj, janë ish-drejtorë të Komunës së Prizrenit në kohën e qeverisjes së PDK-së.

Sipas Prokurorisë, Sadik Paçarizi, Nijazi Kryeziu, Visar Islamaj në cilësi të personave zyrtarë,  ngarkohen se kanë lëshuar leje për ndërtim në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat.

Të akuzuar tjerë nga Prokuroria janë edhe ish-drejtori për Inspeksion, Bujar Nerjovaj,   ish-inspektori komunal Bashkim Krasniqi, ish-kryeshefi i “Infrakos”-it Agron Thaçi dhe bashkëpunëtori profesional Naim Avdyli.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Nerjovaj ka lejuar ndërtimin e katit të shtatë të një objekti ndonëse ai  kishte qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari i ndërtesës-investitori e ka bërë mbi pronën e hekurudhave “Infrakos”, por, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim parandalues.

Gjithnjë sipas aktakuzës, edhe i akuzuari Bashkim Krasniqi thuhet se ka lejuar që të bëhet mbindërtimi i një objekti, respektivisht tejkalimi i lejes së ndërtimit, edhe pse ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari-investitori e ka bërë në pronën e hekurudhave.

I përfshirë në aktakuzë është edhe ish-kryeshefi i “Infrakos”-it, Agron Thaçi, i cili duke qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, nuk kishte vepruar konform Ligjit të Hekurudhave në të cilin janë paraparë punët mbrojtëse, masat e parandalimit për ndërtimet në afërsi të infrastrukturës hekurudhore.

Naim Avdyli së bashku me Agron Thaçin përpos që nuk i kanë ndërmarrë veprimet e duhura lidhur me ndërtimet në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, Prokuroria thotë se ata  kanë vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “Infrakos”.

Me këto veprime Prokuroria pretendon se të akuzuarit  e lartcekur kanë shkaktuar degradimin e pronës dhe infrastrukturën e hekurudhës në komunën e Prizrenit si dhe e kanë bërë të papërdorshme duke i shkaktuar Hekurudhave të Kosovës – “Infrakos” dëm në vlerë prej 104,674.61 euro.

Ky rast ishte trajtuar edhe në emisionin Drejtësia në Kosovë.

Shkrimet e KALLXO.com mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK.