Foto: KALLXO.com

Rigjykimi ndaj ish-drejtorit në lidhje me ndërtimet në zonën historike të Prizrenit, flet një dëshmitar

Ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Bujar Nerjovaj gjatë së hënës është përballur me dëshminë e dëshmitarit Xhafer Ponik.

Bujar Nerjovaj, po gjykohet për mosrrënimin e katër objekteve hoteliere të gjitha këto të ndërtuara në zonën historike të Prizrenit, saktësisht në Shatërvan.

Dëshmitari Xhafer Poniku në rigjykim deklaroi se për periudhën 3 vjeçare, objektet hoteliere që janë edhe pjesë e akuzës kanë paguar pjesërisht tatimin.

“prej sistemit të tatimit në pronë po shihet se që ka pagesë të pjesërishme, është ngarkesa e objekteve, pagesat, ngarkesa që do të thotë për ne se është obligim për mi pagu, dhe për çdo vonesë të pagesës sistemi i llogarit kamatë për mospagesë”-tha dëshmitari.

Tutje ai deklaroi se tatimi në pronë duhej paguar për të gjitha objektet pavarësisht a kanë leje apo jo.

I njëjti shtoi se deri në vitin 2019, tatimin në pronë e ka caktuar Asambleja Komunale e Prizrenit dhe këtu kanë bërë pjesë të gjitha kategoritë e objekteve.

“Norma tatimore ka qenë e njëjta për të gjitha zonat e qytetit 18%, pavarësisht prej hoteleve se cilës zonë i takojnë”, sqaroi dëshmitari.

Ardian Morina, mbrojtës i të akuzuarit Nerjovaj pati vërejtje në deklaratën e dëshmitarit pasi sipas tij kjo ishte në mospërputhje me ekspertizën e përpiluar.

I njëjti kërkoi nga gjykata kohë që ta analizojë këtë çështje për të propozuar ekspertizë të re.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast u caktua për 3 tetor 2022.

Nerjovaj, me datë 3 qershor 2019 ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht por Apeli lëndën e tij e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës të datës 30 tetor 2018, Bujar Nerjovaj, si drejtor i Inspektoratit, akuzohet se nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se Nerjovaj, gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Sipas aktakuzës, objektet janë ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna, të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren.

Prokuroria pretendon se me këto veprime është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit si dhe për shkak të mos pagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36,143.00 euro.

Me këtë, Nerjovaj akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Lidhur me këto aktakuza, Gjykata e Prizrenit, më 3 qershor 2019, e kishte shpallur fajtor dhe atë e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht.

Por, rasti është kthyer në rigjykim, pas ankesës së avokatit të të akuzaurit.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ku i akuzuar është Bujar Nerjovaj mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.