Gjykimi për pronën e ‘Infra-Kos’, Prokuroria propozon ekspertizë financiare për dëmin e shkaktuar
Shtatë të akuzuar, ish-zyrtarë të komunës së Prizrenit dhe zyrtarë të ndërmarrjes publike “Infra-Kos”, kanë dalë para Gjykatës për t’u përgjigjur për akuzat e Prokurorisë.
Sadik Paçarizi, Nijazi Kryeziu, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj, Bashkim Krasniqi, Agron Thaçi dhe Naim Avdyli po ngarkohen lidhur me veprën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit me veprime të ndryshme kanë shkaktuar degradimin e pronës dhe infrastrukturës së hekurudhës si dhe e kanë bërë të papërdorshme duke i shkaktuar Hekurudhave të Kosovës – “Infra-Kos” dëme në vlerë prej 104,674.61 euro.
Në seancën e sotme, përfaqësuesi i Prokurorisë, Genc Nixha propozoi që të bëhet ekspertiza financiare lidhur me dëmin e shkaktuar ndaj “Infra-Kos”.
Kurse, si provë tjetër ai e paraqiti edhe kërkesën e parashtruar nga Agron Thaçi, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv në të cilën sipas Prokurorisë, ishte kërkuar ndalimi i punimeve në afërsi të binarëve dhe pronës së Infra-Kos-it, largim i dheut, armaturave, kontejnerëve duke kërkuar ndalimin dhe shfrytëzimin e kësaj prone.
Sipas prokurorit Nixha, një kërkesë e tillë vinte pasi të akuzuarit nuk kishin kërkuar leje-pëlqim për ndërtimin e objekteve.
“Të gjitha këto prova të cilat i përmenda, kanë të bëjnë me faktin se këtu të akuzuarit në cilësinë e Drejtorit për Urbanizëm, me rastin e dhënies së lejeve për ndërtim, nuk kanë kërkuar pëlqim nga Infra-Kos-i, që detyrimisht është dashur të kërkojnë”, deklaroi prokurori.
Nixha shtoi se në disa raste ishte kërkuar pëlqimi nga Infra-Kos-i e në disa raste jo. Prandaj, sipas tij, përkundër mangësive në fund janë dhënë lejet për ndërtim.
Tutje, prokurori trupit gjykues i ka parashtruar edhe disa prova të tjera si: konkluzionin ndaj të akuzuarit Visar Islamaj, aktvendimin për lejen e ndërtimit, kushtet ndërtimore, aktvendimin e Gjykatës së Prishtinës dhe atë të Supremes.
Kurse, propozimi i prokurorit që si provë të administrohet Ligji mbi Hekurudhat, u refuzua nga kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha.
Pas propozimit të ekspertizës së re dhe provave të tjera, mbrojtësit kërkuan që seanca e sotme të ndërprehet.
Seanca lidhur me këtë rast, u caktua që të mbahet nesër (23 shkurt).
Sipas aktakuzës, tre nga shtatë të akuzuarit e lartcekur Sadik Paçarizi, Nijazi Kryeziu, Visar Islamaj, janë ish-drejtorë të Komunës së Prizrenit në kohën e qeverisjes së PDK-së.
Sipas prokurorisë, Sadik Paçarizi, Nijazi Kryeziu, Visar Islamaj në cilësi të personave zyrtar, ngarkohen se kanë lëshuar leje për ndërtim në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat.
Të akuzuar tjerë nga Prokuroria janë edhe ish drejtori për Inspeksion Bujar Nerjovaj, ish-inspektori komunal Bashkim Krasniqi, ish-kryeshefi i “Infra-Kos”-it Agron Thaçi dhe bashkëpunëtori profesional Naim Avdyli.
Në aktakuzë thuhet se, i akuzuari Nerjovaj ka lejuar ndërtimin e katit të shtatë të një objekti ndonëse ai kishte qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari i ndërtesës-investitori e ka bërë mbi pronën e hekurudhave “INFRA-KOS”, por, nuk kishte ndërmarr asnjë veprim parandalues.
Gjithnjë sipas aktakuzës, edhe i akuzuari Bashkim Krasniqi thuhet se ka lejuar që të bëhet mbindërtimi i një objekti, respektivisht tejkalimi i lejes së ndërtimit, edhe pse ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari-investitori e ka bërë në pronën e hekurudhave.
I përfshirë në aktakuzë është edhe ish kryeshefi i “INFRA-KOS”-it, Agron Thaçi, i cili duke qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, nuk kishte vepruar konform Ligjit të Hekurudhave në të cilën janë paraparë punët mbrojtëse, masat e parandalimit për ndërtimet në afërsi të infrastrukturës hekurudhore.
Naim Avdylin së bashku me Agron Thaçin, përpos që nuk i kanë ndërmarr veprimet e duhura lidhur me ndërtimet në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, Prokuroria thotë se ata kanë vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “INFRA-KOS”.
Me këto veprime Prokuroria pretendon se të akuzuarit e lartcekur kanë shkaktuar degradimin e pronës dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit si dhe e kanë bërë të papërdorshme duke i shkaktuar Hekurudhave të Kosovës – “Infra-Kos” dëm në vlerë prej 104,674.61 euro.
Prizren, 7 të akuzuarit për rastin “Infrakos” ndihen të pafajshëm