Seanca ndaj Bujar Nerjovaj | Foto: KALLXO.com

Mungon anëtarja e trupit gjykues, shtyhet gjykimi ndaj ish-inspektorit Bujar Nerjovaj

Mungesa e anëtares së trupit gjykues Ajser Skenderi ka bërë që seanca e sotme ndaj ish-drejtorit të Inspeksionit në Komunën e Prizrenit, Bujar Nerjovaj të shtyhet.

Kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani ka bërë të ditur se gjykatësja Skenderi sot është e angazhuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Në mungesë të kushteve ligjore, gjykimi i sotëm nuk është mbajtur, derisa seanca u caktua për datën 29 prill 2022.

Paraprakisht në këtë gjykim nga kryetari i trupit gjykues u aprovua propozimi i prokurorit të shtetit që në seancën e ardhshme të mos ftohet dëshmitari Ramadan Muja, ndërkaq, u aprovua kërkesa që për seancën e radhës të dëgjohet zyrtari i financave nga Komuna e Prizrenit, Islam Osmankaj.

Sipas aktakuzës të datës 30 tetor 2018, Bujar Nerjovaj, si drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, akuzohet se si person zyrtar, me mosveprim, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se Nerjovaj, në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Sipas prokurorisë, objektet janë ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna, të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren, me ç‘rast është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit si dhe për shkak të mos pagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36 mijë e 143 euro.

Me këtë, Nerjovaj po akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.