Mungon i akuzuari, dështon gjykimi kundër ish-drejtorit të Inspekcionit në Prizren
Në Gjykatën e Prizrenit sot është paraparë të mbahet seanca kundër ish-drejtorit të Inspekcionit, Bujar Nerjovaj.
Por, në mungesë të të akuzuarit ka dështuar gjykimi ndaj tij për keqpërdorim të detyrës.
Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, ka njoftuar se avokati i të akuzuarit, Ardian Morina, i ka dorëzuar parashtresë gjykatës për gjendjen shëndetësore të Nerjovajt.
Në mungesë të kushteve ligjore seanca nuk është mbajtur, e njëjta është shtyrë për kohë të pacaktuar.
Nerjovaj po përballet me akuza për keqpërdorim të pozitës për kohën sa ishte drejtor i Inspekcionit në Prizren. Objekt i aktakuzës së Prokurorisë janë katër objekte hoteliere që gjenden të gjitha në zonën historike të Prizrenit, saktësisht në Shatërvan të Prizrenit.
Sipas aktakuzës të datës 30 tetor 2018, Bujar Nerjovaj, si drejtor i Inspekcionit, akuzohet se nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.
Në aktakuzë thuhet se Nerjovaj, gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.
Sipas aktakuzës, objektet janë ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna, të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren.
Prokuroria pretendon se me këto veprime është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit si dhe për shkak të mos pagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36,143.00 euro.
Me këtë, Nerjovaj akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Lidhur me këto aktakuza, Gjykata e Prizrenit, më 3 qershor 2019, e ka shpallur fajtor dhe atë e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht.
Por, rasti është kthyer në rigjykim, pas ankesës së avokatit të të akuzuarit.
Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ku i akuzuar është Bujar Nerjovaj mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.