O’Connell: Këtë vit kemi kthim mbrapa në rekrutimin e pozitave të larta

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, në konferencën për projektin e rekrutimit të zyrtarëve në pozitat e larta e vlerësoi këtë vit si më të më keq se vitin e kaluar sa i përket realizimit të projektit dhe emërimit të personave të duhur në pozitat e larta udhëheqëse.

Madje, sipas tij, këtë vit kanë bërë hap mbrapa sa i përket gjetjeve nga monitorimi i proceseve të rekrutimit.

“Vitin e kaluar, në konferencën e tillë pata thënë se projekti po shkon më mirë se që kisha pritur, për fat të keq sivjet nuk mund të konfirmoj të njëjtën gjë. Në fakt, kemi kthim mbrapa”, tha ambasadori O’Connell në konferencën e sotme.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN Kosova) në kuadër të bashkëpunimit me Ambasadën Britanike është duke punuar në monitorimin e proceseve të rekrutimit në disa institucionet.

O’Connell ka përmendur raportimet e BIRN-it për procesin e përzgjedhjes së drejtorit të Agjencionit Tatimor të Kosovës.

“Kemi raportime shqetësuese nga BIRN për interferim në procesin e përzgjedhjes e drejtorit të Agjencisë së Tatimeve. Falsifikim të dokumenteve për të përmbushur kriteret formale, konflikt interesi mes panelit dhe kandidatëve, apo thjeshtë anim në favor të një kandidati, zakonisht i paracaktuar ta fitoj pozitën”, tha tutje ambasadori O’Connell.

Në këtë konferencë të pranishëm ishin edhe Kryeministri Ramush Haradinaj, Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli e të tjerë.