Nisin Hetimet për Zhvendosjet në Shipitullë

Prokuroria e Shtetit  ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore në lidhje me procesin e zhvendosjes dhe shpronësimit në fshatin Shipitullë.

“Duke marrë parasysh se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kompetenca territoriale  për territorin e Obiliqit, ju njoftojmë se ne e kemi dërguar kërkesën tuaj në kompetencë të mëtejme në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe kemi kërkuar që sa më parë që të jetë e mundur të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore për të verifikuat pretendimet e ngritura dhe që ne të na mbajë të informuar për veprimet e ndërmarra”, thuhet në njoftimin e  Prokurorisë së Shtetit kthyer banorëve të Shipitullës.

Këta banorë i janë drejtuar Prokurorisë së Shtetit me 6 prill duke kërkuar prej saj që të nisin hetime për procesin e zhvendosjeve të banorëve nga fshati Shipitullë i Komunës së Obiliqit, ndërsa më 11 prill prokuroria i ka informuar banorët se për këto hetime kompetente është Prokuroria në Prishtinë.

Banorët pretendojnë se kompania e përzgjedhur nga KEK-u për t’i vlerësuar shtëpitë e tyre për kompensim, po i favorizon ndërtimet ilegale që janë bërë nga banorët jorezidentë të këtij fshati.

Sipas tyre më shumë po vlerësohen shtëpitë ilegale sesa ato që janë ndërtuar më herët.

“Kërkojmë nga ju të hetoni ecurinë e procesit të zhvendosjes – shpronësimit të fshatit Shipitullë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), përkatësisht kompaninë vlerësuese ‘RePlan’, përfaqësues i të cilës është Vigan Behluli”, thuhet në kërkesën e bërë nga Saim Krasniqi, banor i fshatit.

Në shkresën drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit, Krasniqi thotë se kompania vlerësuese e përzgjedhur nga KEK-u po i stimulon ndërtimet ilegale në këtë zonë.

Për këtë çështje, KALLXO.com e pati kontaktuar  Vigan Behlulin, përfaqësuesin e kompanisë “RePlan” më 6 prill, ku pati thënë se i gjithë procesi po shkonte në bazë të planit dinamik dhe transparent.

“Nuk kam koment. Ky është proces shumë transparent. Është kompani ndërkombëtare që ka zhvillu edhe shumë zhvendosje të tjera dhe për këtë nuk kam koment”, ka thënë Behluli.

http://kallxo.com/kerkohen-hetime-per-zhvendosjet-ne-shipitulle/

Fshati Shipitullë hyn në zonën e shpallur me interes të veçantë për zgjerimin e aktiviteteve minerare të KEK-ut.

Edhe banorët e Hades, një fshati tjetër të Obiliqit janë ankuar vazhdimisht për procesin e zhvendosjes, të cilin e ka hulumtuar emisioni “Jeta në Kosovë” .